Në pesëvjetorin e rënies në detyrë të heroit të Kosovës, zyrtarit policor Enver Zymeri , u realizuan aktivitete dhe vizita te lapidari i heroit, varrezat e fshatit dhe tek familja e tij.
Ceremonia përkujtimore ka filluar në orën 10:00, ku në shenjë nderimi ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni dhe drejtori i Përgjithshëm i PK-së Shpend Maxhuni, të shoqëruar nga menaxhmenti i lartë i PK-së, vendosën kurora me lule tek lapidari i heroit në kompleksin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në Prishtinë si dhe tek varri i heroit në fshatin Dubovc të Vushtrrisë.
Delegacioni në krye me ministrin Hyseni, drejtorin Maxhuni dhe stafin policor, pas homazheve të bëra tek varrezat e fshatit, vizituan edhe familjen e heroit Zymeri.
Gjatë vizitës tek familjarët ministri Hyseni tha: “Është moment pikëllimi por në të njëjtën kohë edhe moment solemn i kujtimit të sakrificës dhe përkushtimit që ata kanë demonstruar me jetën e vet, për të zbatuar rend dhe ligj. Pa dyshim që Enver Zymeri është personifikim i heroit, i njeriut, i policit, i babait, i birit, që nuk ka kursyer asgjë për ta demonstruar fuqishëm përkushtimin për rend dhe ligj, përkushtimin për vendin e vet, përkushtimin për strukturën, në këtë rast Policinë e Kosovës, që i përkiste dhe në krye të pesë vjetëve të rënies së tij ne e kujtojmë me admirim të posaçëm”, theksoi ai.
Ndërsa, drejtori Maxhuni tha se Policia e Kosovës ndjehet krenar me heroin Zymeri, i cili me punën dhe kontributin e tij, duke mos kursyer as jetën, ka bërë që Policia e Kosovës nga ajo kohë të shërbejë dhe të shtrijë sovranitetin e plotë në të gjithë territorin e vendit.
“Falë përkushtimit dhe sakrificës së kolegut tonë, familjarit tuaj Enver Zymeri, i cili mbetet shembull për zbatim të rendit dhe ligjit, tani Policia e Kosovës ndjehet më e përgjegjshme dhe më e vullnetshme për punë dhe tani për këtë gëzon besueshmërinë nga qytetarët si institucioni më i besuar në vend”, deklaroi ai.
Policia e Kosovës do të vazhdojë të jetë çdo herë përkrah familjes suaj dhe çdo herë e gatshme për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, ashtu siç ishte edhe heroi i Kosovës Enver Zymeri, u shpreh ai.