Si mund të jetë kjo legjislaturë më e suksesshmja kur gjatë gjithë mandatit është cenuar demokracia parlamentare nga ana e mazhorancës?!
Edhe kur është hedhur gaz lotsjellës, Kuvendi ka qenë më transparent e më efikas dhe ka marrë vendime kushtetuese e ligjore. Ky degradim i punës së Kuvendit është cenim i demokracisë me pasoja të gjera për gjithë aparatin shtetëror dhe shtyllat e pushtetit.
Ja disa nga faktet që dëshmojnë cenimin e demokracisë parlamentare gjatë kësaj legjislature, të konfirmuara nga organizata që e përcjellin punën e Kuvendit:
- Mbi 10 ligje e vendime janë shpallur antikushtetuese;
- Mazhoranca e ka keqpërdorur mekanizmin e seancës së jashtëzakonshme për miratimin e pikave të rregullta të rendit të ditës, duke pamundësuar debatin dhe konsultimet publike;
- Ka pasur tri raste kur Kuvendi ka zhvilluar punimet pa e miratuar rendin e ditës;
- Shumica parlamentare e ka pamundësuar funksionimin e Komisionit Hetimor lidhur me rezervat shtetërore;
- Çdo sesion i Kuvendit është mbyllur me dhjetëra pika të papërfunduara;
- Ka pasur mungesë të thellë të transparencës duke mos i publikuar materialet nga seancat dhe komisionet hetimore;
- Nuk është funksionalizuar votimi elektronik, duke pamundësuar përcjelljen e votimit të deputetëve;
- Qeveria ka injoruar Kuvendin te pyetjet parlamentare, te komisionet hetimore dhe te debatet parlamentare për të dhënë përgjegjësi për punën e vet dhe për programin qeverisës;
- Ka pasur mungesë kronike të kuorumit që në shumicën e rasteve është shkaktuar nga deputetët e mazhornacës;
- Mazhoranca nuk ka bashkëpunuar me opozitën as në miratimin e ligjit për buxhetin, e lëre më në ligjet e tjera.