Mazreku: Tatimi prej 5% mbi bazën e primeve bruto, në kundërshtim me Ligjin për Investimet e Huaja

Prishtinë | 24 Tet 2018 | 17:48 | Nga Ekonomia Online

Në seancën e kaluar në rend të ditës ishte votimi në parim i Projektligjit për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave, një gjë e tillë nuk ndodhi për shkak të mungesës së kuorumit, pasi në sallën e seancës plenare kishin mbetur vetëm 20 deputetë. Kurse të enjten do të mbahet vazhdimi i seancës ku sërish në rend të ditës do të jetë ky Projektligj.

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës (SHSK), Sami Mazreku, ka thënë për “Epoka e Re” se që nga viti 1999 e deri më tani kompanitë e sigurimit janë duke u tatuar me norma tatimore të ndryshme mbi primet bruto të grumbulluara gjatë periudhës tatimore.

Sipas tij, ky tatim ka qenë diskriminues për sektorin e sigurimeve dhe në kundërshtim me logjikën e të investuarit në Kosovë, pasi që shumica e kompanive të sigurimeve janë aksionarë të huaj.

“Që nga viti 1999 e deri më tani kompanitë e sigurimit janë duke u tatuar me norma tatimore të ndryshme mbi primet bruto të grumbulluara gjatë periudhës tatimore. Deri në vitin 2009, shkalla e tatimit në primet bruto të grumbulluara për kompanitë e sigurimit ka qenë në nivel prej 7 për qind, e cila në vazhdimësi ka qenë një trajtim jo i barabartë në krahasim me korporatat tjera të themeluara. Pas vitit 2009, niveli i tatimit është rivlerësuar nga Qeveria e saj kohe dhe është vendosur të jetë në shkallën prej 5 për qind. Gjithsesi, mënyra e tatimit së kompanive të sigurimit ka mbetur e njëjtë, ajo mbi bazën e primeve bruto të grumbulluara na kompanitë e sigurimit. Sa i përket vlerësimeve aktuale, është rekomandim i yni që industria e sigurimeve, respektivisht kompanitë e sigurimeve të trajtohen në mënyrë të barabartë sikur korporatat tjera, duke u tatuar për të ardhurat e tyre reale”, ka thënë Mazreku.

Ai ka thënë se me ligjin e ri të Tatimit për të Ardhurat e Korporatave do t’i trajtoj në mënyrë të barabartë për kompanitë e sigurimeve.

“Një trajtim i barabartë i kompanive të sigurimit me korporatat e tjera të themeluara sipas ligjit, pritet të ndodhë me miratimin e ligjit të ri për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave, është më se e mirëseardhur për industrinë e sigurimeve”, ka thënë ai, duke shtuar se në draftet e deritanishme të trajtuara nga komisionet parlamentare dhe të paraqitura për diskutime publike, vërehet se nga Qeveria aktuale janë marrë me seriozitet të lartë dhe se përfundimisht, kompanitë e sigurimeve do të kenë mundësinë e trajtimit të barabartë me korporatat tjera, atë të tatimit në të ardhura reale dhe jo në tatimin në bazë të primeve bruto të grumbulluara.

Në pyetjen nëse në saje të këtij 5 përqindëshi kompanitë e sigurimeve kanë hasur në kritika të shumta sa i përket vonesës së kompensimeve të dëmeve, Mazreku ka thënë se mënyra e tatuarit prej 5 për qind mbi bazën e primeve bruto, pos që ka qenë në kundërshtim për ligjin për investimet e huaja, kjo tarifë në masë të madhe ka dëmtuare dhe afarizmin e Industrisë së sigurimeve në vendin tonë.

“Po siç ju e dini, tatimi i veçantë që është aplikuar vetëm për kompanitë sigurimeve në Kosovë në fillim 7 për qind të vlerës së përgjithshme të qarkullimit dhe më pas 5 për qind të qarkullimit, por jo edhe për korporatat tjera, për pos që ka qenë në kundërshtim për ligjin për investimet e huaja, kur dihet se gjysma e pronësisë së industrisë së sigurimeve është kapital të huaj, ajo tarifë në masë të madhe ka dëmtuare dhe afarizmin e Industrisë së sigurimeve në vendin tonë. Pra, për gati dy dekada industria e sigurimeve u obligua që të paguaj një taksë të veçantë që nuk e pagoi asnjë korporatë tjetër që operon në shtetin tonë”, ka thënë Mazreku.

Ai ka shtuar se kompensimi i dëmeve është duke u bërë në afate kohore të parapara me ligj.

“Sa i përket kompensimit të dëmeve, ashtu siç kamë thënë edhe më parë, kjo çështje është e rregulluar shumë saktë me një kontratë të veçantë mes kompanive të sigurimit si dhe qytetareve të cilët blejnë policat e sigurimit. Andaj kompensim i dëmeve bëhet konform marrëveshjes dhe në afatet e paraparë ligjore. Vetë fakti se janë të lidhura mbi një milion kontrata mes kompanive dhe qytetareve, derisa numri i ankesave në Bankën Qendrore të Kosovës për vitin 2017 ka qenë rreth 200 kjo është një pasqyrë e qartë se kompensimi i dëmeve bëhet në afate kohore të parapara me ligj”, ka përfunduar ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme