Mbahet Akademi nderimi e mirënjohjeje për veprimtarin e njohur të çështjes kombëtare, Mehmet Hajrizi

Prishtinë | 04 Pri 2022 | 17:50 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 41-vjetorit të demonstratave të vitit 1981 se dhe të 40-vjetorit të themelimit të Lëvizjes Popullore të Kosovës, sot në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë u mbajt Akademi nderimi e mirënjohjeje për veprimtarin e shquar të çështjes kombëtare, Mehmet Hajrizi, raporton Ekonomia Online.

Kjo është akademia e katërt që po mbahet këtë vit kushtuar lëvizjes organizuar nga Shoqëria “Lëvizja”, ndërsa pjesëmarrës ishin bashkëveprimtarë të shumtë të Mehmet Hajrizit, nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare, përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale të vendit, miq, familjarë e qytetarë të tjerë.

Kryetari i BDI-së në Maqedoni, njëherësh veprimtar i njohur çështjes kombëtare Ali Ahmeti, në fjalën e tij për veprimtarin Mehmet Hajrizi theksoi se lëvizja që lindi krijoi platformë deri në krijimin e kryengritjes së armatosur të UÇK-së.

“Pas vendosjes së regjimit ushtarako-policor, të gjitha lëvizjet një pas një mbyteshin, shuheshin, por lëvizja që lindi dhe u brumos, krijoi vazhdimësi deri në fillimin e kryengritjes së armatosur të UÇK-së. Pikërisht gurthemeltarë të kësaj lëvizjeje ishin Mehmet Hajrizi, Hydajet Hyseni, por gurthemeltarë të parë ishin Kadri Zeka e Rexhep Mala, Rafi Halili. Në vazhdimësi, pas rënies së organizatorëve të demonstratave të vitit 1981, kur të gjithë mendonin që lëvizja jonë nuk do të ringritet, ajo u bë më e fortë me Rexhep Malajn, që doli nga burgu dhe zuri vendin e organizatorëve të demonstratave të vitit 1981, bashkë me Nuhi Berishën, Kadri Osmanin, që përsëri e ngritën lëvizjen”, theksoi Ahmeti, duke paraqitur më tej veprimtarinë e pandërprerë të lëvizjes, deri në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Bashkëveprimtari i Mehmet Hajrizit, aktualisht deputet i Kuvendit të Kosovës, Hydajet Hyseni, tha se për veprimtarinë e Mehmet Hajrizit në lëvizjen kombëtare nuk është shkruar as për së afërmi sa do të duhej shkruar. Ai tha se pa pretenduar të përmbushë këtë boshllëk, do të paraqesë disa fakte si pasqyrim për veprimtarinë e Mehmet Hajrizit.

Duke profilizuar veprimtarin Hajrizi që nga fëmijëria, Hyseni tha se Mehmeti nxënës ishte dukshëm i dalluar në mësime, sjellje dhe lexim.

Më pas, Hyseni kaloi në veprimtarinë atdhetare të Mehmet Hajrizit, duke i bërë njëkohësisht një analizë situatës politike në Kosovë gjatë periudhës së pas mesit të shekullit të kaluar, raporton EO.

“Plenumi i Brioneve dhe rënia e Rankoviqit siç dihet entuziazmoi me të drejtë shqiptarët e shtypur e të diskriminuar. Rankoviqi u shkarkua, por ujku rankoviqist nuk u dënua, vetëm ndërroi lëkurën. Adem Demaçi e sa e sa të tjerë mbaheshin ende në burg. Shpërtheu nëntori pranveror ’68-të, preludi i lëvizjes së ringjallur shqiptare, që siç parashikohej, nuk ka për t’u ndalur deri te zgjidhja e drejtë e çështjes shqiptare. Midis bërthamave të Lëvizjes ishte edhe Mehmeti, atëherë student. Presioni i Serbisë shoviniste pa rezistencë adekuate të shqiptarëve, do ta defunksionalizonte edhe më shumë autonominë e Kosovës, edhe ashtu të kontrolluar. Grupi u konsolidua dhe u hartua platforma politike, që pagëzua Grupi Revolucionar. Grupi ishte pjesë e lëvizjes, lëvizja ishte tërësia”, tha bashkëveprimtari Hydajet Hyseni.

Në vazhdim të fjalës së tij, Hyseni paraqiti para të pranishmëve gjithë veprimtarinë e mëpastajme të Mehmet Hajrizit, në krye të organizatës klandestine për vite me radhë, burgosjen, veprimtarinë legale pas viteve ’90-të në mbështetje të luftës së UÇK-së, rolin në Konferencën e Rambujesë dhe deri të angazhimi institucional pas luftës.

Për figurën dhe veprimtarinë shumëdimensionale të Mehmet Hajrizit, foli edhe studiuesi e letrari, Agim Vinca.

Vet protagonisti kësaj Akademie, veprimtari Mehmet Hajrizi, shprehu mirënjohje dhe falënderime të veçanta ndaj pjesëmarrësve, duke ovokuar kujtime nga veprimtaria e lëvizjes kombëtare në Kosovë.

Në fjalën e tij, ai tha se janë tri shtylla të cilat e mbajnë në këmbë veprimtarinë.

”Janë tri shtylla që e mbajnë në këmbë veprimtarinë: besimi i patundur, besnikëria e pathyeshme dhe vendosmëria. Kur nisëm veprimtarinë në vitet e ‘70-ta, pak njerëz u besonin ideve tona. Në këto rrethana dukej sikur po e sulmonim qiellin. Shume njerëzve me ndjenja kombëtare u dhimbseshim, por kishin frikë dhe ndjenin rrezik të thoshin hapur një fjalë solidariteti me ne. Lëvizja Kombëtare Shqiptare u rrit dhe u zgjerua, duke u shndërruar në një lëvizje të madhe të popullit. Ne nuk bëmë heroizma sepse nuk ishim heronj. Disa bashkëveprimtarë tanë po. Ne vetëm po përpiqeshim ta justifikonim ekzistencën”, tha Hajrizi.

Ai shtoi se të përkushtuar në një kauzë të përbashkët dhe fisnike, veprimtarët nuk mund dhe as do të duhej folur për veten në njëjës, ngase, siç tha ai, “ne ishim shumës dhe rrëfimet janë në shumës gjithashtu.

“Ora e historisë na thërriste të ishim në krye të detyrës së çështjes kombëtare. Në përgjigje të saj, ne plot shend e verë u hodhëm në ujin e rrëmbyeshëm, më shumë nga vrulli rinor sesa nga pjekuria e profesionalizimi. U hodhëm për të mësuar artin e notit revolucionar nacional-çlirimtar”, tha Hajrizi.

Në fund Akademisë, veprimtari Hajrizi u nderua me mirënjohje nga kryetari i Shoqatës të Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, për veprimtarinë jetësore dhe luftën për çlirimin e Kosovës.

Për veprimtarin Hajrizi mirënjohje ndau edhe kryetari i Shoqërisë “Lëvizja”, Xhevat Bislimi, me motivacionin e përkushtimit, përpjekjes dhe veprimtarisë jetësore për çlirimin dhe bashkimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë, nga Shoqata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, si dhe nga banorët e fshatit Grashticë të Prishtinës, përkatësisht ish-nxënësit e tij, për kontributin e jashtëzakonshëm, dhënë për ngritjen dhe zhvillimin e shkollës shqipe, për mësimet e dhëna, për idenë kombëtare të përçuar, për bëmat dhe veprimtarinë në rrafshin arsimor e kombëtar.

Mehmet Hajrizi është njëri nga drejtuesit kryesorë të lëvizjes kombëtare klandestine të viteve ’70-’80-të në Kosovë dhe kryeredaktor i organeve të saj, “Zëri i Kosovës”, “Pararoja” dhe “Liria”, ish i burgosur politik, ndërsa pas viteve të ’90-ta njëri nga udhëheqësit politikë të vendit, raporton EO.

Ishte anëtar i delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë më 1999 dhe më pas zëvendëskryeministër në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës.

Po ashtu ka ushtruar edhe pozita të tjera institucionale. Mehmet Hajrizi është autor i disa librave dhe merret gjithashtu me shkrime publicistike.

Të ngjashme