Në kuadër të fushatës “Ta pastrojmë Kosovën” ekipi i “Let’s Do It Kosova” ka organizuar aksion pastrimi në Gurrakoc të Istogut. Aksioni i pastrimit ka filluar në orën 12:00.
Në këtë aksion pastrimi kanë marrë pjesë zyrtarë komunalë dhe shumë vullnetarë, raporton Ekonomia Online. Pas aksionit në Gurrakoc, pastrimi pritet të vazhdojë edhe në qendër të Komunës së Istogut.
Organizata “Let’s Do It Kosova”, ka vazhduar pastrimin e ambientit në fshatin Syne, në Istog.
Luan Hasanaj, Let’s Do It Kosova, ka thënë se Istogu është një prej vendeve jo të trajtuara mirë, nga siç tha ai komuniteti i papërgjegjshëm.
Ai tha se kanë marrë zotimin e komunës së Istogut, që ata të cilët nuk kujdesen për pastërtinë e ambientit dhe e ndotin atë duke hedhur mbeturina, do të gjobiten.
“Gjendemi ne Istog , ne hyrje te bjeshkëve të Istogut, në një prej vendeve shumë të bukura që ne sot krenohemi me të, por për fat të keq jo e trajtuar mirë prej një komuniteti të papërgjegjshëm të cilët pa asnjë kontroll kanë hedhë mbeturina”, ka thënë Hasanaj, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i Shërbimeve Publike, në komunën e Istogut, Enver Rugova, ka thënë se janë të angazhuar që të eliminojnë mbeturinat , të cilat në Istog nuk janë pak.
“Kuvendi komunal në Istog, pikërisht Task Forca e krijuar është angazhuar vazhdimisht dhe është në flugun e punëve të eliminimit të mbeturinave ilegale që në Istog nuk janë pak. Janë të angazhuara shumë kompani për të eliminuar këto deponi ilegale, duke u nis nga vendbanimet”, ka thënë Rugova.