Në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Departamentin për Çështje Konsullore u mbajt ceremonia e vendosjes së vulës së parë apostile.
Kjo vulë vendoset për herë të parë pas aderimit të Republikës së Kosovës në Konventën e Hagës për Heqjen e kërkesës së legalizimit të dokumenteve publike të huaja siç njihet ndryshe Konventa e Apostiles, si dhe pas aprovimit Ligjit për ratifikimin e Konventës për heqjen e kërkesës për legalizim të dokumenteve publike të huaja.
Me këtë rast ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj ka thënë se nuk bëjnë përpjekje vetëm të anëtarësohen në këto organizata por, që këto projekte mundohemi që qytetarët t’i gëzojnë ato.
“Kjo ka qenë një betejë e madhe që Kosova të jetë pjesë e kësaj konvente, është dashtë që të sigurohen votat e shumë shteteve që anëtarët e kësaj konvente, dhe është dëshmia më e mirë që ne nuk bëjmë përpjekje të anëtarësohemi në organizatat ndërkombëtare. Por, ne nuk bëjmë përpjekje që ne vetëm të anëtarësohemi, por po bëjmë përpjekje që ta shtrojmë sovranitetin, dhe shtrimi i sovranitetit ka të bëjë me benificionet, projektet që qytetarët e Kosovës munden t’i gëzojnë ato”, ka thënë Hoxhaj.
Ai ka theksuar se të premten e kaluar ka hyrë në fuqi konventa apostile, kurse sot dhanë vulat e para apostile, raporton EkonomiaOnline.
“Si Ministri e Jashtme ne kemi si qëllim që të aplikojmë në çdo organizatë, në çdo konventë, vetëm atëherë kur këto institucione multilaterale i përmbushin kërkesat e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai.
Hoxhaj ka shtuar se nuk synojnë që vetëm të aplikojnë në organizata por bëjnë përpjekje që organizatat e Kosovës të fitojnë në mënyrë konkrete.
“Në këtë rast procedurat për legalizim të dokumenteve të gjendjeve civile për qytetarët e Kosovës janë më të shkurtra, legalizimi do të bëhet në Ministrinë e Brendshme, dhe të gjitha këto dokumente të institucioneve të tjera mund të shkurtojnë kohë, shkurtojnë shpenzime tjera financiare”, ka thënë Hoxhaj.