Ministri Fazliu tha se ky forum ka për qëllim që të njoftojë aplikuesit për mënyrat e aplikimit, prioritetet tematike të thirrjes, por do të shërbejë edhe për të shkëmbyer ide dhe informata
Në Shkup ka filluar sot Forumi konsultativ dyditor për projektet e programit IPA II që kanë të bëjnë me bashkëpunim ndërkufitar.
Ky forum i paraprin thirrjes për aplikime që do të shpallet në fund të muajit në kuadër të programit për bashkëpunim ndërkufitar mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës.
Ministri i Vetëqeverisjes Lokale të Maqedonisë së Veriut, Suhejl Fazliu, tha se ky forum ka për qëllim që të njoftojë aplikuesit e ardhshëm për mënyrat e aplikimit, për prioritetet tematike të thirrjes, por do të shërbejë edhe për të shkëmbyer ide dhe informata mes komunave dhe organizatave joqeveritare të dyja vendet.
“Unë gjithashtu dua të shfrytëzoj rastin që t’u bëj apel komunave që sa më shumë të përgatisin projekte kualitative që ta shfrytëzojnë këtë thirrje e cila është në vlerë mbi dy milionë euro”, tha Fazliu.
Ai shtoi se prioritetet e thirrjes do të jenë mbrojtja e trashëgimisë kulturore, turizmit dhe mbrojtja e ambientit jetësor.
Në hapjen e forumit konsultativ mori pjesë edhe sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal të Republikës së Kosovës, Rozafa Ukimeraj, që njëkohësisht është edhe udhëheqëse e strukturës operative të bashkëpunimit ndërkufitar, e cila tha se në programin me Maqedoninë e Veriut, Kosova është shtet udhëheqës.
“Ne kemi vendosur edhe strukturat institucionale. Zyra jonë në Gjilan dhe zyra në Kumanovë, e cila në vazhdimësi ka mbështetur edhe komunat por edhe organizatat e shoqërisë civile në procesin e aplikimit për fonde nga programet IPA për bashkëpunim ndërkufitar”, tha Ukimeraj.
Ajo theksoi se janë gjithsej nëntë projekte nga thirrjet paraprake që tanimë janë në proces të implementimit, si pika kufitare Bellanoc-Stançiq si proces strategjik.
Ukimeraj gjithashtu tha se synimi është që të shmangin mundësinë që kufijtë administrativ të shndërrohen në pengesa të zhvillimit, duke shtuar se synimi është që zona kufitare Maqedoni e Veriut-Kosovë t’u ngjajë zonave kufitare të vendeve anëtare të BE-së.
Javën e ardhshme, forum i njëjtë konsultativ do të mbahet edhe në Prishtinë. Pjesëmarrës në forumet e këtilla janë përfaqësues të komunave dhe organizatave joqeveritare nga të dyja vendet, të cilët trajnohen mbi mënyrën e aplikimit. /AA