Instituti Cilësor për Hulumtime Analiza dhe Trajnime (iCHAT) në bashkëpunim me Bringing Europeans Together Association (BETA e.V) organizoi ceremoninë kryesore të konferencës “Modeli i Bashkimit Evropian Kosova 2017”, ku të rinjtë nga Kosova, rajoni dhe Evropa u njoftuan me mekanizmat dhe funksionimin e organeve të BE-së.
Në konferencën e organizuar në ndërtesën e Parlamentit të Republikës së Kosovës drejtori ekzekutiv i Institutit IChat Besmir Kokollari tha se kjo konferencë është një eksperiencë e duhur për njoftimin e të rinjve me funksionimin e organeve të BE-së.
“Modeli i BE-së është një ngjarje që dallohet për nga vlera edukative, përsosshmëria akademike dhe profesionalizmi, që e kthen atë në një nga stimulimet më të suksesshme dhe prestigjioze në botë, për më tepër duke krijuar një atmosferë të vërtetë evropiane, në një mjedis të pastër evropian si një kontribues në qëllimin e integrimit evropian dhe në shfaqjen e identitetit evropian”, tha Kokollari.
Kurse drejtori i Departamentit për Rini në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Xhevat Bajrami theksoi rëndësinë e kësaj konference me qëllim të lidhjes së të rinjve nga të gjitha qendrat e Evropës për njohjen e procedurave legjislative të organeve dhe institucioneve të BE-së.
“Prandaj ky model po u shërben edhe të rinjve të Kosovës, të cilët nuk janë të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre për shkak se Kosova është e përjashtuar nga liberalizimi i vizave. Andaj shpresoj se kjo konferencë do të shërbejë edhe si një fakt që të rinjtë e Kosovës duhet të jenë të barabartë me të rinjtë e BE-së dhe bashkëmoshatarët e tyre”, tha Bajrami.
Në anën tjetër raportuesja për Kosovën, në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek gjatë kësaj konference iu drejtua të rinjve me një video-mesazh. Ajo me këtë rast theksoi se tani lliberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është në duart e parlamentarëve të Kosovës.
Lunaçek po ashtu bëri thirrje që të mos votohen njerezit të cilët nuk i garantojnë qytetarët e Kosovës se do t’i plotësojnë dy kushtet për liberalizim të vizave, pra shënimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të zi si dhe luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit.
Ndryshe, ky është viti i dytë që kjo konferencë 6 ditore po organizohet, ku po marrin pjesë më shumë se 100 pjesëmarrës të rinj nga Kosova, rajoni dhe Evropa.