Këshilli Kombëtar për Inovacion dhe Ndërmarrësi ka mbajtur takimin e radhës ku ka diskutuar një varg çështjesh të rëndësishme që kanë të bëjnë me fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë.
Mbledhjen e Këshillit e udhëhoqi zëvendësministri Bujar Cakolli, i cili i informoi anëtarët e Këshillit për aktivitetet e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në aspektin e hartimit të dokumenteve strategjike dhe ligjore.
Cakolli tha se MIN që nga themelimi e ka pasur në fokus hartimin e dokumenteve strategjike dhe ligjore më qëllim të krijimit të bazës ligjore për përkrahjen e inovacionit dhe ndërmarrësisë dhe rrjedhimisht edhe mbështetjen e këtij sektori në dobi të zhvillimit ekonomik të vendit.
Zëvendësministri Buajr Cakolli para të pranishmëve ka prezantuar: Draft-Strategjinë për Mbështetje të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë 2018-2022, Projekt-Koncept Dokumentin i Ligjit për Inovacion dhe Ndërmarrësi, Politikat për Ndarjen e Subvencioneve dhe Transfereve nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Projekt – Udhëzimi Administrativ (MIN) Nr. 00/2018 për Ndarjen e Mjeteve Financiare nga Kategoria Ekonomike e Subvencioneve dhe Transfereve, Thirrjen publike për Aplikim për Organizatat joqeveritare të Regjistruara në Republikën e Kosovës, programi i punës i të cilave është i fokusuar në fushën e inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Draft-Marrëveshjen ndërmjet Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë (MIN) dhe GIZ për bashkëfinancimin e Projektit CETEP, e nënshkruar në mes Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëpunim teknik.
Anëtarët e Këshillit Kombëtar për Inovacion dhe Ndërmarrësi kanë diskutuar në lidhje me dokumentet ligjore dhe strategjike dhe kanë dhënë rekomandime dhe sugjerime të rëndësishme. Anëtarët e Këshillit u pajtuan që rekomandime e sotme dhe ato që do të vijnë nga akterët tjerë të interesit të përfshihen në dokumente strategjike dhe ligjore më qëllim që ato të jenë të zbatueshme në shërbim të krijimit të bazës së mirë ligjore për trajtim institucional të inovacionit dhe ndërmarrësisë.