Me rastin e vdekjes së Bajrush Behramit, njërit prej organizatorëve kryesorë të demonstratave të vitit 1981, u mbajt mbledhje komemorative.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dërguar familjes së Behramit telegram ngushëllimi, në të cilin ndër të tjera shkruan se Behrami ka dhënë kontribut të çmuar në ndërtimin e jetës institucionale pas luftës, raporton Ekonomia Online.
“Vdekja e veprimtarit të shquar Bajrush Behrami është humbje e madhe për familjen, miqtë dhe gjithë brezin e tij politik, me të cilin punoi dekada të tëra. Bajrushi ishte njëri nga organizatorët e demonstratave të vitit 1981, i burgosur politik për vite të tëra dhe mbështetës i pa kompromis i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Bajrush Behrami dha kontribut të çmuar edhe në ndërtimin e jetës institucionale pas luftës. Ai u shqua për talent në artin e vizatimit dhe pikturës, duke lënë prapa vetes një trashëgimi artistike, që shprehte shpirtin e tij artistik dhe bindjet atdhetare.
I përjetshëm qoftë kujtimi për jetën dhe veprën e tij”.
Në emër të institucioneve të Kosovës, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj tha se Behrami ishte kontribues i madh në pavarësinë e Kosovës.
“Bajrushi çdo herë në mendje e ka pasë Kosovën e lirë dhe të pavarur. Si patriot i ka caktuar vetes detyra të mëdha, jo vetëm detyra por edhe sakrifica”.
Hoxhaj kujtoi edhe kontributin e Behramit në formimin e “Unikombit” dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Vitet e 90-ta do ta gjejnë Bajrushin me Ukshin Hotin për Unikombin, më pas në fund të viteve të 90-ta përkrah Adem Demaçit për formimin e UÇK-së”.
“Ne si parti politike, PDK, jemi krenarë me rolin që ka pasë Bajrush Behrami në Podujevë”.
Bashkëveprimtari i Bajrush Behramit, Hamit Hamiti, mori fjalën dhe e çmoi shumë punën dhe jetën e Behramit.
“Ai iku në kohën kur më së shumti i duhej familjes, miqve dhe shokëve”.
Hamiti tha se një njeri siç ishte Behrami do t’i duhej ende Kosovës dhe institucioneve të saj.
“Tërë jetën Bajrushi sakrifikoi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.
Hamiti e kujtoi edhe babain e Bajrushit, Fahriun, i cili, sipas tij, ka merita për edukimin e tij.
Hamiti më pas tregoi për dënimin dhe torturat që i ishin bërë Behramit në burgjet jugosllave, kontributin në formimin e “Unikombit” dhe të UÇK-së.
“Bajrushi u përket emrave që jetojnë edhe pas vdekjes”, tha Hamiti.
Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së, dega në Podujevë, Fahri Balaj, e kujtoi Behramin duke thënë se ai bëri një jetë pa shumë zhurmë por me shumë punë.
Fundi i jetës Bajrush Behramin e gjeti të angazhuar me punë në Qendrën e Studentëve, prandaj për të foli edhe drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta.
“Ne ishim krenarë dhe me fat që në mesin e kolegëve tonë patëm Bajrush Behramin. Rrallë ndodhë që një njeri ta ketë respektin e kolegëve të punës siç e pati ai. Të rrallë janë ata që dinë të punojnë e krijojnë si Bajrush Behrami”.
E fundit në këtë mbledhje komemorative foli vajza e tij, Dalmana.
“Disa njerëz lindin për të mos vdekur kurrë, i tillë je edhe ti babë. Ti ishe pjesa më e bukur e jetës sime. Më mungon që tani, por nuk ekziston ndonjë mënyrë që të të mbaj afër. Ti nuk ishe mrekullia e tetë në vazhdim, ishe e para. Ditët në vazhdim, vendet ku uleshe, ku ecje, oborri, shtëpia e madje zemra ime do të jenë bosh pa ty. Do të më mungojë e qeshura jote, këshillat e tua të pafundme. E kam ditur që dita kur dheu i ftohtë do të mbulojë trupin tënd do vijë, mirëpo asnjëherë s’e kam pritur që do të shkosh pa më parë të prekë majat e suksesit.
Më kanë thënë se gjërat që i do duhet t’i lësh të shkosh, unë të dua ty shumë prandaj edhe unë po të lë ty”.
Varrimi i Bajrush Behramit do të bëhet sot në në orën 17:00 në varrezat e qytetit në Podujevë.