Në nderim të avokatit të njohur, Nikë Lumezi, i cili vdiq të premten, është mbajtur meshë në katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë.
Nikë Lumezi ishte babai i kryeprokurorit të Kosovës, Aleksandër Lumezi.
Drejtuesi i kësaj meshe, Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, tha se janë sot në meshë për të ndarë dhimbjen për vdekjen e Nikë Lumezit dhe për të ndarë ngushëllimin e fesë, raporton Ekonomia Online.
Gjergji u shpreh se vdekja është përfundim i rrugëtimit të njeriut dhe fillim i rrugës së takimit me krijuesin e tij.
“Vdekja dhe jeta janë bashkudhëtim, nuk janë dy ekstreme larg njëra-tjetrës, janë si dy këmbë të të njëjtit trup. Njeriu qysh kur lind fillon të vdesë, sepse vdekja është përfundimi i nje rrugëtimi të përkohshëm të njeriut drejt takimit me krijuesin e vetëm. Jemi këtu që t’ju ngushëllojme zemrat me halet e fesë. Pushoftë në paqe”.
Në mesin e pjesëmarrësve në meshë ishte edhe ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, dhe drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Shpend Maxhuni.
Para kësaj meshe është mbajtur Mbledhje Komemorative, organizuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës, në të cilën u vlerësua kontributi dhe veprimtaria e Nikë Lumezit si avokat dhe gjyqtar.
Varrimi i të ndjerit bëhet në ora 14, në varrezat e qytetit të Prizrenit.