Mbahet mesha për ditën e Krishtlindjes, bëhet thirrje të punohet për të mirën e përbashkët

Prishtinë | 25 Dhj 2020 | 12:24 | Nga Ekonomia Online

Në katedralen “Nënë Tereza”, në Prishtinë, është mbajtur mesha për Ditën e Krishtlindjes me mesazhin për paqe, solidaritet dhe dashuri ndaj të tjerëve dhe Zotit.

Kremtimi i kësaj meshe nisi me lexime të Biblës, ndërsa u drejtua nga Don Lush Gjergji.

Ai tha se populli shqiptar e ka gjakun e shenjtëreshës, Nënës Terezë, një gjak i cili flet, thërret dhe dëshmon se sa dhe si duhet ta duam Zotin, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, duhet ta nderojmë dhe ta përkrahim njëri-tjetrin dhe për të mirën e përbashkët.

“Sot pra është solidariteti i qiellit me tokën, sot është solidariteti i Zotit me njeriun në këtë kohë të errët të pandemisë, të mendojmë siç tha edhe Papa Franqesku, më e fuqishme është drita e Zotit se terri i njeriut dhe i njerizimit, më e fuqishme është nisa tek Zoti se sa kërcënimet dhe rrezikimet e ndryshme”.

“Dhashtë Zoti që në këto rrethana të na vetëdijesojnë, të na prekin shpirtin, ndërgjegjen tonë njerëzore, shqiptare, arbërore, ilire, që ta kuptojmë se sa të mëdhenj, se sa të rëndësishëm, se sa të dashur jemi për Zotin. E atëherë kush jam unë, kush je ti , kush jemi ne që ta përmirësojmë Zotin dhe t’i themi unë nuk e dua, unë e përjashtojë e deri unë e urrej urrejtja. Urrejtja është djallëzore, dashuria dhe falja është hyjnore”.

Të ngjashme