Për vitin e gjashtë me radhë, sot në Prishtinë është mbajtur Parada e Krenarisë që ka për synim promovimin e të drejtave të komunitetit LGBTIQ+, raporton Ekonomia Online.
Të pranishëm ishin ministra të kabinetit qeveritar, deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, ambasadorë të akredituar në Kosovë e pjesëtarë të shoqërisë civile.
Shefja e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se shpreson që ajo që ka ndodhur në Parlamentin e Kosovës lidhur me moskalimin e Projektkodit Civil të mos përsëritet.
“Në fakt sot është dita me fesu dashurinë, një e drejtë që nuk duhet me ju kontestu askujt. Shoqëria jonë duhet me kuptu që liria elementare nuk është për t’u cenuar. Ajo çka ka ndodhë në Parlamentin e Kosovës nuk duhet të përsëritet”, u shpreh Kusari.
Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier ka thënë se të drejtat e komunitetit janë të drejta të njeriut.
“Për t’i bashkuar paradës së krenarisë ne jemi këtu për të treguar mbështetjen për komunitetin LGBTI+, sepse besojmë fuqimisht që drejtat e komunitetit, janë të drejta të njeriut. Shpresoj që nuk do të bëhem rrëfimi i sotëm, por do të shohim kolegët e mi, pjesëtarë të shoqërisë civile, qytetarët e Kosovës duke marshuar. Do ta them sërish, të drejtat e LGBTI+, janë të drejta të njeriut”, ka thënë ai.