Organizuar nga Inspektoratit Farmaceutik i Ministrisë së Shëndetësisë, nga 3-5 prill u mbajt punëtoria inter-aktive me temën “Menaxhimi i mbeturinave medicinale”.
Në punëtori kanë marrë pjesë zyrtarë nga Departamenti Shëndetësor i Burgjeve/DSHB, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore/FSSH dhe zyrtarë të Doganave të Kosovës.
Qëllimi i punëtorisë ishte dhënia e këshillave dhe aftësimi i pjesëmarrëseve (farmacistëve përgjegjës) për menaxhimin e mbeturinave medicinale të pa përdorshme.
Gjatë kësaj punëtorie janë shtjelluar temat si: Baza ligjore që rregullon fushën e Farmaceutikës por dhe sistemit shëndetësor në tërësi; Zbatimi i Praktikave të Mira Farmaceutike; Menaxhimi i produkteve medicinale, psikotrope dhe narkotike; Kontrolli i dokumentacionit farmaceutik për prodhuesit apo autorizuesit farmaceutik në Terminalet Doganore; Hapësirat e pranimit, deponimit, ruajtjes dhe shpërndarjes së produkteve dhe pajisjeve medicinale në institucione shëndetësore; Menaxhimi i produkteve medicinale termolabile; Pranim/dorëzimi, ruajtja, ordinimi dhe menaxhimi i pjesës së mbetur të produkteve medicinale të pacientëve; Menaxhimi i produkteve dhe pajisjeve medicinale me afat të skaduar dhe të pa përdorshme.
Në fund të punëtorisë u përpilua draft-lista e konfiskimit të produkteve dhe pajisjeve medicinale, deklarata e pranim/dorëzimit të produkteve nga ana e pacientëve, lista e regjistrimit të produkteve medicinale të dorëzuara nga ana e pacientëve si dhe regjistri i barnave të pa përdorshme dhe me afat të skaduar.
Punëtoria është mbështetur nga Programi mbështetës për shëndetësinë i Qeverisë së Luksemburgut KSV -017.