Mbahet punëtoria e avancimit të grave në ushtri, merr pjesë Osmani

Prishtinë | 15 Dhj 2024 | 15:53 | Nga Ekonomia Online

Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë mbajti punëtori njëditore, “Avancimi i përfaqësimit dhe rolit të grave në ushtri: Një hap drejt barazisë më të madhe gjinore, paqes dhe sigurisë”.

Në pjesën e parë të saj, pjesëmarrësit u mirëpriten nga Presidentja Osmani, Ministri Maqedonci dhe Gjeneral Brigade Nawrat, të cilët theksuan rëndësinë e përfshirjes së grave në proceset e paqes dhe sigurisë, ashtu si edhe në strukturat ushtarake e sektorin e mbrojtjes. 

Në kuadër të kësaj ngjarje është organizuar edhe paneli diskutues “Thyerja e barrierave: Rritja e pjesëmarrjes dhe rolit të grave në ushtri”, ku theks të veçantë mori rrugëtimi personal i çdo panelisteje, por edhe prezantimi i strukturave dhe politikave brenda institucioneve që ato përfaqësojnë në mënyrë për të avancuar barazinë gjinore. Pas këtij diskutimi, u prezantua një rast studimit, ai i Shqipërisë si anëtare e NATO-s, dhe rrugëtimi i tyre drejt rritjes së pjesëmarrjes dhe rolit të grave në ushtri.

Sipas njoftimit nga Presidenca e Kosovës, pjesa e dytë e ditës u fokusua në punën në grupe, në kuadër të së cilave pjesëmarrësit identifikuan rekomandime dhe veprime të nevojshme mbi strategjitë e reja të rekrutimit, mbajtjes e ruajtjes së personelit dhe eliminimit të paragjykimeve dhe stereotipeve kundrejt grave.

Në bazë të këtyre diskutimeve, Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë do të përpiloj raportin e qasshëm për të gjithë publikun”.

Të ngjashme