Është mbajtur sot takimi i radhës i Asamblesë së kryetarëve të gjykatave dhe gjyqtarëve mbikëqyrës nën udhëheqjen e kryesuesit Bashkim Hyseni – kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Gjatë këtij takimi, është diskutuar Ligji për Statusin e Gjyqtarëve, ku është paraqitur si nevojë që gjyqësori ta ketë një ligj të tillë i cili rregullon statusin, të drejtat dhe detyrimet e gjyqtarëve në mënyrë specifike dhe të avancohet sistemi për performancën e gjyqtarëve i cili do të ndikojë në rritjen e llogaridhënies, transparencës dhe efikasitetit të gjyqtarëve. Hyseni në këtë rast, rekomandoi Këshillin Gjyqësor që të bashkëpunojë me Ministrinë e Drejtësisë lidhur me çështjet e cekura më lartë.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, kërkoi që viti i ardhshëm të jetë më i suksesshëm dhe të ketë rezultate më të mëdha në sistemin e drejtësisë sepse sipas tij, i kemi të gjitha parakushtet dhe mjetet e nevojshme. Idrizi fton përfaqësuesit e të gjitha institucioneve relevante që të shfaqin rezultate reale të punës. Ai diskutoi edhe rreth trajtimit të bashkëpuntorëve profesional si dhe kërkoi barazi në trajtimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Nga viti i ardhshëm, do të bëhet caktimi i gjyqtarëve mbikëqyrës si anëtarë të Asamblesë, bazuar në Rregulloren për Organizimin dhe Funksionimin e Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës.
Duke u bazuar në rëndësinë e Projektit SMIL, anëtarët e Asamblesë diskutuan rreth Regjistrimit lëndëve në SMIL për vitin 2019. Vlen të ceket se gjatë këtij viti, qysh nga implementimi i sistemit në gjykata, janë regjistruar rreth 27000 lëndë në sistem. Të gjithë anëtarët e mbështetën regjistrimin e lëndëve në SMIL, me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës në sistemin gjyqësor. Pritet që gjatë këtij viti, secila gjykatë të identifikojë stafin e vet i cili do të angazhohet për të regjistruar lëndë dhe stafin i cili do të angazhohet për ta monitoruar punën në këtë sistem. Vitin e ardhshëm, implementimi i SMIL do të jetë vit jetik për avancimin e këtij projekti.