Një tryezë diskutimi lidhur me aspektet procedurale të hetimit të shkeljeve të konkurrencës është mbajtur sot për disa gjyqtarë dhe prokurorë të Kosovës, si dhe zyrtarë të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.
Gjatë kësaj tryeze – e cila është organizuar në bashkëpunim me Projektin “Mbështetja e BE-së për Autoritetin Kosovar të Konkurrencës dhe Komisionin e Ndihmës Shtetërore”, është diskutuar kryesisht lidhur me kontrollet e paparalajmëruara, të cilat bëhen për mbledhjen e provave tek entitetet e dyshuara për shkeljen e konkurrencës.
Ekspertë ndërkombëtarë të angazhuar nga ky Projekt kanë prezantuar para pjesëmarrësve të këtij diskutimi.
Në fjalën e tij hyrëse, Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Valon Prestreshi, ka thënë se kjo tryezë do të shërbejë “që të thellohet bashkëpunimi mes institucionit që ai drejton dhe zyrtarëve të sistemit të drejtësisë lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me ligjin dhe politikat e konkurrencës.”
Gjithashtu, ai ka thënë se kjo tryezë është e dobishme të sqarohen të gjitha çështjet që lidhen me kontrollet e paparalajmëruara, në mënyrë që kur ato të realizohen në praktikë të bëhen duke respektuar të gjitha protokollet e nevojshme.
AKK mbetet e përkushtuar që në
vazhdimësi të avokojë për politika të konkurrencës në sektorë të ndryshëm.