Dje, në Palestrën e pingpongut në Prishtinë, u mbajt turneu për Ditën e Çlirimit të Prishtinës.
Morën pjesë shumica e kadetëve dhe juniorëve nga klubet kosovare.
Në konkurrencën e kadetëve u treguan lojëra të mira dhe të nivelizuara për nga cilësia. Pasi fituan ndeshjet eliminuese, për në gjysmëfinale u renditën, Fati Karabaxhaku KP Lidhja e Prizrenit, Shend Raskova KP Prishtina, Aulon Bivolaku KP Vushtrria dhe Donart Berisha KP Lidhja e Prizrenit.
Në gjysmëfinalen e parë Raskova, i rezistoi mjaft mire Karabaxhakut të favorizuar, por fitimi i një seti (1:3) nuk mjaftoi për të kaluar në finale. Më e paqartë ishte gjysmëfinalja e dytë, ku Berisha dhe Bivolaku treguan pingpong cilësor dhe dëshirë të madhe për të fituar. Në fund, më i përqendruar u tregua Berisha që fitoi me 3:2 dhe me meritë u plasua për finale. Në takimin final, u prit më shumë nga Berisha për ta rivalizuar bashkëlojtarin e tij Karabaxhakun, megjithatë ky i fundit nuk lejoi befasi dhe sigurt e fitoi takimin me 3:1 në seta.
Te femrat, pati më pak pjesëmarrëse, por nuk mungoi fryma sportive luftarake e vajzave të reja dhe entuziaste të pingpongut. Rivaliteti kryesor u zhvillua ndërmjet vashave nga KP Ahmet Hoxha, Ferizaj, Jerina Rexhepi dhe Shega Hashani dhe gjilanaseve të KP Drita, tashmë të dëshmuarave: Alma Mehmeti, Bleona Mehmeti. Në gjysmëfinale, gjilanaset, në saje të përvojës më të madhe ia dolën që të renditen në finale për ta vendosur fituesin në duelin e tyre të ndërsjellë. Favorite ishte Alma Mehmeti dhe ajo këtë epitet e arsyetoi, megjithë vështirësitë që ia solli Bleona, pasi takimi u mbyll me rezultat të ngushtë 3:2 në seta.
Në kategorinë e junioreve, pothuaj të njëjtat garuese femra, me dallim që nga katër gjysmëfinalistet tri vinin nga KP Drita e Gjilanit, kurse e katërta nga KP Vushtrria Edona Shabani. Alma me lehtësi e mundi Blenda Lushajn me 3:0 për të kaluar në finale, kurse Bleona e mundi Shabanin me 3:1 dhe mori rastin për revansh ndaj Alma Mehmetit. Dhe, Bleona ia doli ta befasojë kushërirën e saj, duke arritur që të bëjë rikthim të rezultatit pas disavantazhit 0:2 dhe për të fituar në fund me 3:2 në seta.
Te djemtë, pati shumë ndeshje të mira e atraktive me një befasi të bërë nga lojtari i KP Vushtrria, Granit Xhema që arriti deri në gjysmëfinale. Xhema u përpoq mjaft edhe në duelin gjysmëfinal ndaj Kreshnik Mahmutit KP Lidhja e Prizrenit, por për të ishte e kënqashme arritja në katërshen finale andaj me kokën lart ia uroi fitoren Kreshnikut (0:3). Në duelin e dytë gjysmëfinal, u takuan Donat Sinani i KP Hasan Prishtina dhe Fati Karabaxhaku. Donati ishte duke bërë befasi pasi po udhëhiqte 2:1 në seta dhe dukej sikur ai do të arrinte te një fitore e rëndësishme, por Karabaxhaku sikur i ndezi të gjithë “motorët” për të shpëtuar nga humbja e papritur dhe fitoi me 3:2 në sete.
Finalja ofroi lojë të cilësisë së Superligës së seniorëve duke kënaqur të pranishmit e pakët me shumë goditje të bukura e atraktive. Që naga fillimi i meçit u vërejt se Mahmuti ishte më i vendosur, por edhe më i freskët pasi Fati kishte triumfuar më herët në kategorinë e kadetëve. Lodhjen e Fatit e shfrytëzoi me mençuri Mahmuti dhe pas 3 setave ia doli ta fitojë ndeshjen dhe gjithë turneun.
Fituesit u shpërblyen me mirënjohje e medale, kurse kampionët edhe me Kupa, të cilat i ndau Kryetari i FPPK-së, z. Nehat Çitaku.
Ky ishte edhe aktiviteti I fundit për stinorin pranveror për FPPK-në. Gjatë kohës së pushimeve FPPK do të organizohet Kampi veror në Therandë në fund të korrikut, si dhe Kosova merr pjesë në Kampionatin Ballkanik në Podgoricë, për grupmoshën U21 (nga 2-6 gusht).