Mbahet ushtrimi fushor “Ujku i Çeliktë”, Osmani dhe Kurti vlerësojnë lartë guximin dhe profesionalizimin e FSK-së

Prishtinë | 12 Nën 2024 | 13:50 | Nga Hasan Hoti

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) në kuadër të ushtrimit fushor “Ujku i Çeliktë”, ka organizuar Ditën e Vizitorëve ku pjesëmarrës ishin presidentja Vjosa Osmani, si dhe kryeministri Albin Kurti, raporton Ekonomia Online.

Ky ushtrim është kryer në Poligonin ushtarak në Babaj të Bokës të Gjakovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ‘Ujku i çeliktë’ tha se personifikon instinktin e mprehtë dhe guximin tuaj gjatë këtij ushtrimi.

“Me operacionet sulmuese gjatë këtij ushtrimi, ju shfaqët shkathtësinë dhe guximin që kërkohet për ta tejkaluar çdo kërcënim”, u shpreh presidentja.

“Sot e konfirmuat edhe një herë se ushtrinë tonë e kemi ndërtuar dhe jemi duke e zhvilluar me aftësi dhe me kapacitete profesionale sipas standardeve më të larta të NATO, dhe konfirmuat se jeni të gatshëm të merrni pjesë efektivisht edhe në operacione shumëkombëshe të përbashkëta ushtarake, në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal”, tha Osmani.

Në ushtrimin fushor “Ujku i Çeliktë”, pjesëmarrës ishte edhe kryeministri Albin Kurti.

Ai tha se e veçanta e këtij ushtrimi është se pikërisht këtu bëhet validimi i regjimentit të dytë të këmbësorisë së FSK-së.

“Ky ushtrim përfaqëson më shumë se një testim të kapaciteteve tona mbrojtëse sikurse që u dëshmua sot dhe paraqet tregues të qartë të përgatitjes, guximit dhe profesionalizimit të ushtrisë sonë. E veçanta e këtij ushtrimi është se pikërisht këtu bëhet validimi i regjimentit të dytë të këmbësorisë së FSK-së, duke konfirmuar zhvillimin dhe forcimin e vazhdueshëm të ushtrisë sonë drejtë standardeve më të larta ndërkombëtare”, tha Kurti.

Të ngjashme