Të gjitha ekipet e interesuara për transferimin e Kylian Mbappes do të duhet ta rrisin buxhetin e tyre. Sulmuesi francez 21-vjeçar është vlerësuar se do t’i kushtojë 265 milionë euro cilitdo klub që dëshiron ta blejë atë.
Neymari i Paris Saint-Germainit e mban rekordin për lojtarin më të shtrenjtë në histori, pas transferimit të tij nga Barcelona në vitin 2017 për 222 milionë euro. Ndërsa, Mbappe ishte transferuar për 180 milionë nga Monaco.
Megjithatë, sipas një algoritmi të studiuesve zviceran në CIES, vlera e Mbappes e ka arritur kulmin tani me 265 milionë, ndërsa ajo e 27-vjeçarit Neymar ka rënë në 100 milionë euro.
Sulmuesi anglez Raheem Sterling i qëndron afër Mbappes. Ylli i Manchester Cityt e ka kaluar tashmë Neymarin dhe vlerësohet me 223 milionë euro.
Egjiptiani Mohamed Salahu i Liverpoolit është radhitur i treti në këtë listë, me 175 milionë euro, ndërsa Lionel Messi me 125 milionë dhe Cristiano Ronaldo me 80.3 milionë u radhitën më poshtë.
Ky studim i merr parasysh paraqitjet e lojtarëve për ekipet kombëtare dhe për klubet e tyre, moshën e futbollistëve, pozitën dhe ligën ku luajnë, nivelin ekonomik të klubit. Në listë përfshihen vetëm lojtarëve e pesë ligave më të mëdha të Evropës.