Gazeta prestigjioze franceze, L’Equipe, raporton se ylli francez Kylian Mbappe nuk është plotësisht i kënaqur me mënyrën se si po trajtohet nga Paris Saint-Germaini dhe trajneri Thomas Tuchel.
Kylian Mbappe ka qenë në qendër të vëmendjes për Paris Saint-Germainin gjatë javëve të fundit. Sulmuesi u përfshi në një situatë të tensionuar me Thomas Tuchelin kur u zëvendësua në fundjavë dhe, pastaj, trajneri tha se lojtari duhet t’ia respektojë atij vendimet.
Sipas gazetës franceze L’Equipe, Mbappe e vuri në dyshim rëndësinë e tij për skuadrën e Paris Saint-Germainit gjatë ndeshjes kundër Marseille sezonin e kaluar. Ai ishte lënë në stol për këtë ndeshje, pasi që kishte shkuar me vonesë në një stërvitje. Në atë kohë, ai ndiente se nuk po trajtohej si ylli tjetër i PSG-së, Neymari.
Braziliani u lejua të shërohet nga lëndimi i këmbës larg Parisit, ndërsa askujt tjetër në skuadër s’i është ofruar një liri e tillë. Deklaratat e tij pasi e fituan çmimin për lojtarin më të mirë të ri nuk ndihmuan në këtë situatë.
“Unë dua të kem më shumë përgjegjësi në Paris apo diku tjetër”, kishte thënë Mbappe.
Tuchel gjithmonë e ka bërë të qartë se Neymari është futbollist kyç në projektin e tij dhe këto mesazhe kanë bërë që Mbappe të ndihet i lënë anash e kanë lënë atë të pasigurt për të ardhmen e tij në Paris.
Marrëdhënia mes lojtarit dhe trajnerit është në një pikë kritike. Çdo vendim që e merr trajneri gjerman tani do të ketë ndikim të madh, pasi që Real Madridi po tenton ta tundojë futbollistin francez.
Përfaqësuesit e Mbappes dhe të PSG-së nuk janë aspak afër për ta arritur një marrëveshje për rinovimin e kontratës dhe pasi që ai ndihet i nënvlerësuar në PSG, shumë klube do të tentojnë ta transferojnë francezin.