Kylian Mbappe nuk do të largohet nga PSG-ja këtë verë.
Sulmuesi ka informuar pronarin e klubit, Al Khelaifi, se do të qëndrojë në Parc des Princes edhe për sezonin 2023/2024.
Saga e Mbappe siç duket ka marrë kthesë tjetër. Francezi, i cili më parë kishte informuar PSG-në se nuk ka ndërmend të zgjasë kontratën e tij me klubin përtej vitit 2024, tani duket se ka marrë vendim të qëndrojë te kampionët akualë të Francës të paktën një sezon më shumë.
Skuadra e Ligue 1 u përpoq ta shiste Mbappen që të mos e humbnin si transfer të lirë, por, sipas gazetës franceze Le Parisien, 24-vjeçari i ka thënë klubit se nuk do t’i bashkohet Real Madridit apo dikujt tjetër.
Vendimi i Mbappe duket se do ta zemërojë klubin e tij, i cili kuptohet që nuk dëshiron ta humbasë atë si transfer të lirë pas një viti. Ylli francez ishte lënë jashtë skuadrës në turneun parasezonal në Azi dhe dukej pothuajse i sigurt për t’u larguar. Tani ai ka informuar presidentin e klubit, Nasser Al-Khelaifi, se do të qëndrojë dhe do të përfundojë vitin e fundit të kontratës së tij me gjigantin francez.