Me fjalët përfundimtare të palëve në procedurë, ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin “Veteranët”. Në këtë seancë, mbrojtja kërkoi aktgjykim lirues për të akuzuarit, gjë e cila u mbështet nga vetë të akuzuarit.
Në këtë rast, për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e 17 marsit, kishte filluar dhënia e fjalës përfundimtare nga ana e Prokurorisë, si dhe është dhënë fjala përfundimtare e Agim Çekut dhe mbrojtësit të tij, avokatit Ramë Gashi, për të vazhduar kështu me të tjerët.
Mbrojtësi i të akuzuarit Nuredin Lushtakut, avokati Tahir Rrecaj, tha se qëndron pas fjalës përfundimtare dhe se i mbrojturi i tij akuzohet për një vepër për të cilën nuk i plotëson kushtet për t’u ngarkuar.
“Prokuroria nuk ka arritur që me asnjë provë të vetme të vërtetojë faktet që ndërlidhen me kualfikimin e veprës penale të “Keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar”… në veçanti për faktin se nuk e kanë vërtetuar se Nuredin Lushtaku nuk e ka pasur cilësinë e perosnit zyrtar dhe nuk ka pas asnjëherë lidhur me këtë çështje penale”, tha Rrecaj.
Sipas Rrecajt, Lushtaku është deleguar në një komison qeveritar nga Sami Lushtaku, për të marrë vendime, por pasi që sipas tij ai nuk e ka pasur cilësinë e personit zyrtar, vota e tij nuk do të kishte vlerë.
“Është e ditur që në mbledhjen e 26-të të këtij Komsioni të mbajtur me datën 9 mars 2016 në të cilën ka marrë pjesë Nuredini dhe në të cilën nuk është marrë asnjë vendim lidhur me njohjen e statusit të veteranëve luftëtarë dhe kategorive të tjera të dala nga lufta. Por, edhe nëse do të merrte ndonjë vendim, vota e tij do të ishte e pavlefshme sepse Sami Lushtaku që e ka delegu nuk ka pas të drejtë ta delegojë, por ai siç është deklaru edhe këtu në seancë ka besu se e ka pas një të drejtë të tillë”, shtoi ai.
Si përfundim, avokati Rrecaj propozoi që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza për shkak të mungesës së provave.
Ndërsa, vetë i akuzuari Lushtaku tha se ngarkohet për këtë vepër pasi që kishte refuzuar propozimin e prokurorit të parë të rastit që të bëhet dëshmitar.
“E vetmja përgjegjësi e imja është që unë nuk jam bërë dëshmitar që prokurori i parë më ka kërkuar që të bëhem dëshmitar siç janë bërë të tjerët, nëse kjo është përgjegjësia për të ardhur në gjykatë për 7 vite, unë nuk e di me çfarë drejtësie vepron Prokuroria”, tha Lushtaku.
Ai kërkoi nga Gjykata që të lirohet dhe të vendoset drejtësia.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Sadik Halitjaha, avokati Eset Berisha tha se aktakuza nuk është e mbështetur në rregullat dhe parimet e procedurës penale dhe se nuk është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se i mbrojturi i tij ka kryer veprën për të cilën akuzohet.
“Nuk është vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm dhe nuk ka asnjë provë të arsyshme dhe të ligjshme përtej dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penalë për të cilën akuzohet dhe i propozoj që të lirohet nga akuza”, tha Berisha.
I akuzuari Halitjaha, deklaroi që e mbështet fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij dhe kërkoi nga trupi gjykues që të nxjerrë atgjykim lirues.
Po ashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Shkumbin Demalija, avokati Arianit Koci tha se i mbrojturi i tij nuk ka pasur rol përzgjedhës në aplikimin për njohjen e statuseve, e kjo është vërtetuar sipas tij edhe nga dëgjimi i dëshmitarëve.
“Shkumbini nuk e ka pas asnjë rol përzgjedhës për asnjërin prej aplikantëve. Dëshmirarët kyç në këtë proces si Daut Haradinaj, Shukri Buja, Ramush Haradinaj e kanë konfirmu këtë. Përgjegjësi kanë pas vetë ata që e kanë plotësuar aplikacionin”, tha Koci.
Avokati Koci shtoi që Prokuroria nuk ka arritur që të vërtetojë veprimet e kundërligjshme të të mbrojturit të tij dhe në bazë të kësaj ai kërkoi që të lirohet nga akuza.
Kurse, i akuzuari Demalija deklaroi se është tërësisht i pafajshëm, pasi që ai nuk i ka ndihmuar askujt për të marrë atë status.
“Deklaroj që jam plotësisht i pafajshëm dhe nuk kam ndihmuar askënd të fitojë këtë status as une dhe asnjë nga kolegët e mi. E marr tërsisht këtë përgjegjësi pasi që nuk kaloj mbi plagët e mia për t’i dhënë dikujt që të fitojë pa meritë atë status”, tha Demalija.
Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Qelë Gashi, avokati Edon Bibaj, tha që nuk është vërtetuar që klienti i tij është fajtor për veprën për të cilën ngarkohet, duke kërkuar kështu edhe lirimin e tij.
Gjithashtu, të njëjtën gjë e deklaroi edhe mbrojtësi i të akuzuari Shukri Buja, avokati Fadil Jashari, i cili tha që përtej dyshimit të bazuar mirë nuk është vërtetuar që Buja ka kyer veprën me të cilën ngarkohet. Kërkoi që të nxjerret aktgjykim lirues.
Për këtë, i akuzuari Buja tha që nuk ka pasur për qëllim si anëtar i komisionit rritjen e numrit të veteranëve, por verifikimin e tyre, si dhe nuk pasur për qëllim dëmtimin e buxhetit të shtetit.
Po ashtu, në fjalën përfundimtare të mbrojtëses së Ahmet Dakut, avokates Kadina Bokaj-Thaqi, u tha se Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë fajësinë e të mbrojturin e saj, andaj edhe kërkoi aktgjykim lirues. Fjalën e saj e mbështeti edhe i akuzuari Daku.
Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Rrustem Berisha, avokati Artan Qerkini, gjatë fjalës së tij përfundimtare, tha që komsioni nuk ka ndërmarrë vendime për të gjithë aplikuesit, por secili prej anatrëve ka qenë përgjegjës për zonën e tij.
Ai shtoi se aktakuza ka mangësi formale, provat e marra nga Prokuroria janë marrë në mënyrë të kundërligjshme, si dhe nuk është vërtetuar elementi subjektiv i veprës, duke kërkuar kështu edhe lirimin e të mbrojturit të tij.
Fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij, e mbështeti edhe Rrustem Berisha.
Njëjtë deklaroi edhe mbrojtësi i të akuzuarit Faik Fazliu, avokati Naim Rudari, i cili tha që nuk është vërtetuar që asnjëri nga të akzuarit e aq më pak i mbrojturi i tij ka kryer veprën për të cilën ngarkohet. Kërkoi nga Gjykata aktgjykim lirues. Fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij e mbështeti edhe vetë Fazliu.
Avokati i të akuzuarit Smajl Elezaj, Nusret Islami tha që i mbrojturi i tij nuk ka pasur cilësinë e perosonit zyrtar dhe që nuk ka pasur autorizim për të zëvendësuar dikënd në komsionin qeveritar, duke konisderuar kështu që i njëjti nuk është dashur të akuzohej, me çka edhe kërkoi lirmin e tij. Këtë fjalë, e mbështeti dhe Elezaj.
Kurse, në fjalën përfundimtare të mbrojtëses së Fadil Shurdhaj, avokates Elsa Musa, u tha që akuza e cila është ngritur nga Prokuroria Speciale është e përgjithësuar dhe se nuk janë të identifikuar veprimet inkriminuese të mbojturit të saj. Me këtë ajo kërkoi nga Gjykata aktgjykim lirues.
Edhe Shurdhaj tha se e mbështet fjalën përfundimtare të avokates Musa dhe që qëndron prapa fjalës së dhënë në gjykimin e parë.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Xhavit Jashari, avokati Afrim Salihu tha që askush nga dëshmitarët nuk e ka përmendur të mbrojturin e tij që të ketë kryer veprën për të cilën ngarkohet, andaj kërkoi aktgjykim lirues.
Fjala përfundimtare e Salihut u mbështet edhe nga Jashari, i cili tha se qëndron prapa fjalës së dhënë edhe në shqyrtimin e parë.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 prill 2021 të akuzuarit i kishte liruar nga akuza. Por, Gjykata e Apelit më 26 prill 2022 e ka kthyer në rigjykim këtë rast.
Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuarit duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 88.769.217.04 euro.
Për këto akuza, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë aktgjykim lirues edhe më 19 janar 2021.
Aktgjykimi në këtë rast ishte përpiluar tre muaj më vonë, ku PSRK brenda 15 ditësh kishte pasur mundësi të ushtrojë ankesë ndaj këtij aktgjykimi.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën për këtë rast, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gusht të vitit 2019.
Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, të urdhërojë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19 mijë e 500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.
Kurse pas seancave të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 janar 2021, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve në këtë rast.
Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë thuhet se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.
Në këtë aktakuzë, janë përfshirë 12 persona, të cilët ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prin Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar gjykatës, që ta lëshonte masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.
Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara ishte vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.
Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro.