Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka publikuar të dielën një fotografi me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në të cilën shkruhej 100% duke treguar kështu përkrahjen e Ramës për vendimin e Qeverisë së Kosovës ndaj produkteve serbe.
Fotografia me mbishkrimin 100 %, bëri që të reagojnë mediet serbe.
Në raportimin e tyre thuhet se fotografia e Shalës me Ramës ‘tronditi’ të gjithë serbët.
“Shala shkroi 100% dhe është e qartë se ky vendim po shijohet, ndërsa për shkak të këtij vendimi qindra njerëz në Mitrovicë kanë probleme të ndryshme. Njerëzit atje nuk kanë ilaçe, oksigjen në spital dhe qumështi tashmë është zhdukur. Dhe kjo gjë është qesharake nga ana e tij dhe Ramës”, raporton telegrafi.rs.
Portali tjetër Blic.rs, e ka quajtur provokim publikimin e ministrit Shala me Edi Ramën.
Duhet kujtuar se Qeveria e Kosovës, në fillim kishte vendosur taksë vetëm 10% për produktet e e Serbisë por pas pak ditësh ajo u shumëfishua në 100%.
Vendimi për taksën ngjalli reagime të ndryshme tek udhëheqësit serb por edhe tek ndërkombëtarët të cilët kërkuan largimin e saj, përderisa vendimi në fjalë gjeti përkrahje tek qytetarët kosovarë.