Një vrasje e rëndë ka tronditur Gjilanin këtë të diel.
V.H, pjesëtar i Policisë së Kosovës nga Njësiti për mbrojtje të afërt, dyshohet të ketë vrarë L. Spahiun nga fshati Muqiverc i Kamenicës, jashtë detyrës zyrtare.
Bazuar në hetimet fillestare, dyshohet se V.H. ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me një aksident që kishte pasur me viktimën, këtu në rrugën “Nato 99” rreth orës 5 të mëngjesit, raporton KTV.
Prokuroria Themelore në Gjilan thotë se motivet e vrasjes ende nuk dihen, derisa ka kërkuar një muaj paraburgim për zyrtarin policor, i cili tashmë është arrestuar dhe suspenduar nga puna.
Familjarët e viktimës në anën tjetër, shprehen se janë të shokuar me rastin, pasi sipas tyre, i ndjeri nuk e njihte policin.
Ata kanë treguar se me viktimën ishte edhe djali i tij 21-vjeçar, i cili edhe i kishte njoftuar për rastin dhe kanë ngritur dyshime se polici mund të ketë qenë në gjendje të dehur.
Inspektorati Policor i Kosovës, gjatë ditës, bashkë me njëstin rajonal të hetimeve kanë bastisur shtëpinë e të dyshuarit në Malishevë të Gjilanit.
IPK-ja ka konfiskuar armën që dyshohet se është përdorur nga i dyshuari në këtë rast dhe një karikator, ndërsa në veturën e tij dy revole të llojit Bereta.