Veç pak orë para mbledhjes së përbashkët të dy Qeverive, asaj të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, kryeministri shqiptar Edi Rama doli në një konferencë të jashtëzakonshme.
Orët e fundit kur Qeveria e Kosovës tashmë ishte afër përgatitjeve të fundit për këtë takim, Rama dha lajmin se e ka anuluar këtë mbledhje.
Reagimet në Kosovë ishin të mëdha. Qeveria e quajti vendim të njëanshëm e opozita e cilësoi si alarmuese.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ky është lajm i keq për shqiptarët, në Kosovë, në Shqipëri, në Luginë, Maqedoni e Mal të Zi.
Ai tha se, Kosova fatkeqësisht vazhdon të rrugëtojë drejt izolimit e vetmisë.
“Këtë herë, si asnjëherë, mbetëm dhe pa Shqipërinë. Po mbesim dhe do të mbesim pa secilin aleat që qëndronte me ne në çdo etapë të vështirë”.
“Kjo s’është Kosova që e kishim menduar ndonjëherë”, u shpreh ai.
Sipas tij, rrugëtimi i Kurtit, përplasës me perëndimin, rrezikon vet shtetësinë e Republikës.
“Në vend se të sillet si një Kryeministër i përgjegjshëm, një që ruan partneritetet e avancon kauzat kombëtare drejt perëndimit, ai sjellë krizë dhe izolim. Aventura e tij politike nuk mund të jetë përfaqësimi ynë popullor. Kosovës i duhen miqtë. Kosovës i duhen partnerët strategjik”, ka thënë Abdixhiku.
Lajm alarmues, e cilësoi edhe Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi.
I pari i PDK-së ka thënë në kohën kur aleatët perëndimorë janë “të zhgënjyer” me Qeverinë e Kosovës, kemi nevojë për Shqipërinë.
“ALARMUESE! Në kohën kur të gjithë aleatët perëndimorë janë të zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës, ne kemi nevojë për Shqipërinë më shumë se kurrë!”, ka shkruar Krasniqi.
Ndryshe, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se i ka kërkuar homologut të tij nga Kosova, Albin Kurti, që të ndryshohet formati i mbledhjes së dy qeverive, që është paraparë të mbahet në Gjakovë më 14 qershor, por ai nuk ka pranuar.
“E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar”, tha Rama gjatë konferencës së jashtëzakonshme për media.
Ndërkaq, për AAK-në, situata kurrë nuk ka qenë më e rëndë.
Në një reagim, AAK vlerëson se situata më e rëndë në politikë, diplomaci dhe siguri në Kosovë nuk ka qenë asnjëherë më e rëndë.
“Kërkojmë nga kryeministri Kurti që urgjentisht t’i bashkërendojë veprimet me aleatët ndërkombëtarë, me ShBA-të në veçanti, para se gjendja të eskalojë e të marrë kahje edhe më të rëndë!”, thuhet në reagimin e kësaj partie.
Kryeministri i Shqipërisë tha se ndjen keqardhje që nuk gjeti dakordësi me kryeministrin Kurti për një ndryshim të formatit.