Kryeministri Avdullah Hoti nuk do që t’u lërë vend në institucione zyrtarëve të nivelit të lartë drejtues të cilëve u përfundon mandati. Nëntë sekretarë të përgjithshëm, kryeshefa ekzekutivë e drejtorë agjencish janë lënë në rrugë, vetëm tri ditë pasi ishin sistemuar në shërbimin civil me një vendim të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Fati i tyre i pret edhe 42 zyrtarë që mbajnë këso pozitash të larta drejtuese
Qeveria ka vendosur t’i lërë në rrugë nëntë zyrtarë të nivelit të lartë drejtues, përfshirë sekretarë të përgjithshëm të institucioneve, kryeshefa ekzekutivë e drejtorë agjencish, të cilët ishin duke e ushtruar mandatin në kohën kur ka hyrë në fuqi Ligji për zyrtarët publikë. Fat i tyre i pret edhe 42 zyrtarë që mbajnë këso pozitash të larta drejtuese.
Zyrtarëve të nivelit të lartë drejtues që kanë ushtruar një mandat, neni 42 i Ligjit ua lejon mundësinë e rizgjedhjes për edhe një tjetër. E, në rastet kur kjo nuk bëhet, Ligji detyron institucionet që ata t’i sistemojnë në pozitë të kategorisë së mesme drejtuese.
Duke u thirrur në këtë dispozitë, më 27 nëntor, Ministria e Punëve të Brendshme ka nxjerrë 9 vendime për sistemim, por ato janë anuluar më 2 dhjetor.
Ish-sekretari Arben Çitaku, të cilit i është revokuar vendimi për sistemim, thotë të jetë ky vendim i paprecedent.
“Pas tri ditëve, institucionet ku neve na kanë caktuar pranojnë vendimin i cili i shfuqizon këto, pa asnjë arsyetim, pa asnjë procedurë të respektuar të cilën e parasheh Ligji”, thotë Çitaku. “Natyrisht, kjo ka bërë që ne për shkak se jemi një grup i njerëzve të afektuar nga ky vendim, të organizohemi dhe ta paraqesim ankesën tonë pranë Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, me qëllimin që të rishqyrtohet dhe të anulohet ky vendim i cili është i paprecedent. Nuk ka ndodhur një gjë e tillë në asnjë qeveri të kaluar, përveç kësaj tash”.
Çitaku, nga sekretar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ishte sistemuar si drejtor i Departamentit të Pensioneve në të njëjtën ministri.
Naim Baftiu ishte sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Financave. Me vendimin e fundit të nëntorit, ai ishte sistemuar drejtor i Departamentit për Patentë Shoferë në Ministrinë e Infrastrukturës.
Fitim Sadiku kishte shërbyer si sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ai ishte sistemuar në drejtor për Studime, Hulumtime dhe Publikime në Akademinë Diplomatike.
Nazmi Zenelaj, nga sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, ishte akomoduar në drejtor të Departamentit për Menaxhimin e Rrugëve në Ministrinë e Infrastrukturës.
Veton Firzi ishte sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës. Me vendim të MPB-së, ai ishte sistemuar në drejtor të Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal.
Kapllan Halimi, ndërkaq, nga sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ishte sistemuar në drejtor i Departamentit të Arsimit të Lartë, Shkencës dhe Teknologjisë në Ministrinë e Arsimit. Halimi ishte i suspenduar më herët, pasi kundër tij Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë nën dyshimin për keqpërdorim të 4 milionë eurove të dhëna në emër të granteve, e për të cilin rast paraprakisht kishte raportuar KOHA.
Nga të tjerë zyrtarë që ishin sistemuar janë: Valdet Gjinovci, nga kryeshef ekzekutiv në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës, ishte dërguar drejtor i Departamentit për Financa dhe Shërbime në të njëjtën agjenci; Hafiz Gara, nga kryeshef i Agjencisë Kosovare të Standardizimit, ishte sistemuar në drejtor të Departamentit për Rezervat Shtetërore në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë; ndërkaq Lah Nitaj, nga drejtor i përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve në Ministrinë e Arsimit, ishte sistemuar në drejtor të Departamentit të Arsimit Parauniversitar në të njëjtën ministri.
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë refuzuar t’i ofrojnë arsyet e kësaj. Prej dy ditësh, KOHA ka adresuar pyetje në këtë institucion, por përgjigjet kanë munguar.
E, Rita Spahiu, këshilltare për media e ministrit Agim Veliu, ka treguar arsyet pse nuk kishte një përgjigje.
“Jemi në proces të risistemimit për të gjithë dhe shumë shpejt do të kemi një njoftim zyrtar”, ka thënë ajo.
Burime të KOHËS kanë thënë se anulimi i vendimeve është bërë me kërkesë të kryeministrit Avdullah Hoti, i cili menjëherë pas hyrjes në fuqi të Ligjit për zyrtarët publikë ka shprehur qëndrimin që kurrkujt në pozitat e larta drejtuese nuk i duhet vazhduar mandati.
“Pasi Ligji i ri për zyrtarët publikë ka hyrë në fuqi, kam vendosur që të mos ketë vazhdim automatik të mandatit të asnjë zyrtari të lartë në asnjë institucion”, kishte shkruar Hoti në Facebook më 7 gusht. “Me mbarimin e mandatit të zyrtarëve në pozita të larta publike, do të hapet konkursi sipas Ligjit për të siguruar mundësi të barabarta për të gjithë, garë të hapur dhe transparencë”.
Por, përpos këtij statusi në Facebook, nuk ka një dokument zyrtar që e kërkon këtë.
Burime në Qeveri kanë thënë se një interpretim sikurse ky i Hotit gjen mbështetje në nenin 83 të Ligjit për zyrtarët publikë, e i cili përmban dispozitat transitore.
“Një nëpunës civil i kategorisë së lartë drejtuese në një institucion të administratës shtetërore, i emëruar në këtë pozitë sipas procedurës së Ligjit nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, do të vazhdojë mandatin e tij/saj për kohën e mbetur të përcaktuar në Ligjin e Shërbimit Civil nr. 03/L-149 të Republikës së Kosovës”, thuhet në pikën e 6 të këtij neni.
Megjithëkëtë, në pikën e 8-të të të njëjtit nen theksohet se për një nëpunës civil të kategorisë së lartë drejtuese, i emëruar sipas Ligjit të Shërbimit Civil, e i cili është duke shërbyer në mandatin e tij të parë, do të aplikohet neni 42, paragrafi 2 i këtij Ligji. Paragrafi 2 i këtij neni është jorelevant, por hartues të Ligjit kanë thënë se fjala është për paragrafin 4, i cili e parasheh mundësinë e edhe një mandati, në rastet kur është ushtruar vetëm një mandat paraprakisht.
Ndërkaq, vendimi për sistemimin e zyrtarëve të nivelit të lartë drejtues ishte marrë pas shumë korrespodencash e interpretimesh të shkruara për Ligjin e ri. Një nga shkresat e nxjerra në tetor mban nënshkrimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu.
“Bazuar në nenin 42 të Ligjit nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publikë, kemi zyrtarë të nivelit të lartë drejtues që u ka skaduar mandati, por që në shumicën e rasteve nuk kemi marrë njoftimin nga mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë për moskonfirmimin e mandatit ose anasjelltas. Në paragrafin 8 të këtij neni është obligim sistemimi i tyre brenda një periudhe 3-mujore, që nënkupton se jemi në fund të këtij afati dhe ende nuk kemi të dhëna të cilat janë të domosdoshme, e për të cilat kishin kërkuar më herët si në shkresën e datës 28.08.2020”, thuhet në këtë shkresë.
Ndërkaq, mes interpretimesh të fundit është një që këtë muaj e ka nxjerrë Mentor Borovci, drejtor i Zyrës Ligjore në Zyrën e Kryeministrit. Opinioni i tij ndodhet në konflikt me atë të kryeministrit Hoti.
“Duke qenë se neni 94, pika (2) dhe (3) i Kushtetutës së Republikës së Kosovës përcaktojnë se: Kryeministri ‘siguron që të gjitha ministritë të veprojnë në pajtim me politikat qeveritare’, përkatësisht ‘siguron zbatimin e ligjeve dhe të politikave të përcaktuara të Qeverisë’, është e nevojshme që të jetë në vëmendjen e kryeministrit, që për rastet e tjera të ardhshme në mënyrë që të mundësohet rizgjatja e mandatit – sipas Ligjit – për nëpunësit e kategorisë së lartë drejtuese, duhet që mbikëqyrësit e drejtpërdrejtë të paktën 3 muaj para përfundimit të mandatit të bëjnë propozimin për zgjatjen e mandatit, i cili pastaj miratohet nga Qeveria”, thuhet në këtë opinion. “Së dyti, është e domosdoshme që institucionet e administratës shtetërore, në çdo kohë dhe pa vonesë, sipas kërkesës nga DMZP/MPB, të bëjnë deklarimin e pozitave të lira të tyre, ashtu që të mundësohet realizimi i të drejtës për sistemim në një pozitë të lirë në kategorinë e mesme drejtuese, apo kategori profesionale, për nëpunësin civil të kategorisë së lartë drejtuese të cilit i mbaron mandati”.
E, zyrtarët e nivelit të lartë drejtues që kanë përfunduar mandatin, por që në kundërshtim me këto opinione janë larguar vetëm katër ditë pas sistemimit në kategorinë e mesme drejtuese, kanë thënë se do t’i drejtohen edhe gjykatës.
“Nuk e tolerojmë në asnjë formë shkeljen dhe përdhosjen e të drejtave tona, të cilat janë të garantuara me Kushtetutë dhe me Ligj”, ka thënë Arben Çitaku. “Të dyja rastet janë të adresuara në institucionet relevante. Dhe presim përgjigjet e tyre që, natyrisht, në bazë të shkeljeve të cilat janë bërë, ne do të duhej t’i fitonim këto raste. Dhe, në qoftë se prapë hasim në moszbatim të tyre, ne kemi dy alternativa: alternativa e parë është ta shfrytëzojmë të drejtën përmes gjykatës; e alternativa e dytë është që të marrim masa edhe të kallëzimeve penale për të gjithë ata shkelës të ligjeve dhe dëmtimeve materiale që i kanë bërë në rastet tona”.
Në pozitat e nivelit të lartë drejtues kryesisht janë vënë njerëz të afërt me subjekte politike në pushtet. Trend të tillë rekrutimi ka vazhduar edhe Qeveria Hoti.