Mbetet e pa definuar çështja e ambasadorëve dhe konsujve politikë

Prishtinë | 02 Kor 2020 | 20:50 | Nga Ekonomia Online

Ndër vendimet e para të Qeverisë Kurti ishte shfuqizimi i vendimeve të marra nga qeveria paraprake e drejtuar nga Ramush Haradinaj, por një praktikë të tillë po e ndjek edhe qeveria aktuale e drejtuar nga Avdullah Hoti.

Njëri nga këto vendime që ka shfuqizuar Qeveria Hoti lidhet me kthimin e konsujve diplomatikë. E më këtë vendim nuk është pajtuar ish-ministri i Jashtëm Glauk Konjufca.

Njohësi i çështjeve politike Visar Xhambazi thotë se shfuqizimi i këtij vendimi nuk është i qëlluar. Sipas tij të emëruarit politik në misione diplomatike pas përfundimit të mandatit do të duhej të ktheheshin vet.

“Ish-ministri i jashtëm Glauk Konjufca kishte marrë vendim pasi numri i ambasadorëve të emëruar politikë kishte tejkaluar emërimet politike me ligj. Ligji për shërbim të jashtëm potencon se të emëruarit politikë duhet të jenë 50% , ndërsa gjysma tjetër duhet të jenë ambasadorë të karrierës, prandaj kur të kalojë mandati katër vjeçar ata nuk kanë mandat për të qëndruar në pozitat e tyre. Për më tepër, të emëruarit politikë pasi të përfundojnë mandatin katër vjeçar nuk konsiderohen më pjesë e shërbimit të jashtëm diplomatikë”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Visar Xhambazi.

Vendimi i marrë nga ish-ministri i Jashtëm Glauk Konjufca nuk mundi të implementohet pasi Presidenti Thaçi nuk kishte dekretuar këtë vendim.

Të ngjashme