Më shumë se 1 200 infermierë u infektuan me Coronavirus që nga muaji mars i vitit të kaluar kur edhe në Kosovë u raportuan rastet e para me këtë virus.
Fitim Havolli, kryetar i Sindikatës së infermierëve, mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë ka konfirmuar në një intervistë për Ekonomia Online se numri i atyre që janë infektuar me këtë virus ka kaluar mbi 1 200.
Ai ka bërë të ditur se për momenti nuk ka asnjë infermierë të infektuar e që është në gjendje të rëndë.
“Prej marsit deri më tani 1200 e më shumë infermierë të infektuar në vendet e punës, duke i shërbyer qytetarëve që nga 13 marsi deri më sot”.
“Nuk kemi për momenti në gjendje të rëndë po shpresojmë që edhe nuk do të ketë”.
Kur ka folur për sulmet që kanë ndodhur kohën e fundit në vendet e punës ndaj infermierëve, ai ka kërkuar nga organet e drejtësisë që sulmuesit të dënohen.
Ai këto sulme i ka quajtur si fenomen të ulët, duke shtuar se edhe përkundër që kanë rrezikuar edhe jetën në shërbim të qytetarëve, janë sulmuar nga këta të fundit, raporton EO.
“Është krijuar një fenomen jashtë zakonisht i ulët që është ka ndodh në mesin e shoqërisë tonë dhe sigurt për neve dhe për të gjithë institucionet ka qenë si fenomen i dënueshëm”.
“…i lus organet e drejtësisë që të gjitha ata që bëjnë kësi sulme ose akte të ulëta të marrin epilogun nga organet e drejtësisë sepse vërtet është tepër e rëndë ata të cilët po e rrezikojnë jetën për tu shërbyer pacientëve”.
Me 9 janar një infermier dhe një anesteziolog janë kanosur dhe sulmuar fizikisht në vendin e tyre të punës në QKUK.
Ata janë sulmuar nga një familjar i një pacienti i cili ishte i shtruar në QKUK.