Nga viti 2015 deri në vitin 2024, më shumë se 10,000 studentë dhe staf akademik, kanë përfituar nga programi Erasmus +. Kështu u tha në konferencën për media, raporton Ekonomia Online.
Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arsim Ademi dhe shefi për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së, Johannes Madsen, kanë prezantuar rezultatet e projekteve të Erasmus+ për ndërtimin e kapaciteteve në arsimin e lartë.
Zëvendësministri i Arsimit, Arsim Ademi tha se është punuar shumë për promovimin e arsimit profesional.
“Në fushën e arsimit profesional këtë vit është arritur bashkëpunim i suksesshëm deri më tani dhe agjencitë përfituese nga Kosova janë Agjencia e Arsimit dhe aftësimit profesional, MASHTI, dy Universitet publike dhe dy kolegje, Oda e Hotelerisë dhe Turizmit. Në këtë fushë kemi punuar shumë për promovimin e arsimit profesional”, tha ai.
Ndërsa shefi për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së, Johannes Madsen, tha se nga viti 2015 deri në vitin 2024, më shumë se 10,000 studentë dhe staf akademik kanë përfituar nga ky projekt.
“Nga viti 2015 deri në vitin 2024, më shumë se 10,000 studentë dhe staf akademik, kanë përfituar nga aksioni i Lëvizshmërisë Ndërkombëtare të Kredive. Ky moment historik pasqyron integrimin në rritje të Kosovës në komunitetit akademik evropian. Përveç kësaj, ndërmjet viteve 2016 dhe 2024, 63 studentë nga Kosova kanë marrë bursa të përbashkëta për diplomën master Erasmus-+, një arritje që nxjerr në pah përsosmërinë dhe ambicien e rinisë së Kosovës. Institucionet e arsimit të lartë të vendit gjithashtu kanë lulëzuar, duke përfituar nga 76 projekte të Ngritjes së Kapaciteteve në Arsimin e Lartë, tetë projekte Jean Monnet dhe dy Masat e Dizajnit Erasmus +. Këto nisma janë jetike, jo vetëm për zhvillimin institucional, por edhe për nxitjen e reformave transformuese në sektorin e arsimit”, u shpreh Madsen.