Mbi 10 milionë euro, KQZ miraton shumën që u duhet për zgjedhje

Prishtinë | 01 Maj 2026 | 14:46 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur mbledhjen e radhës, në të cilën u miratua plani i buxhetit për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Zgjedhjet që do të mbahen më 7 qershor të këtij viti arrijnë vlerën e mbi 10 milionë eurove për organizimin e tyre.

Buxheti i planifikuar dhe miratuar për organizimin e këtyre zgjedhjeve është në vlerën: 10,887,186.445 Euro.

Violeta Salihu, anëtare e KQZ-së , tregoi se si do të shpenzohet buxheti i miratuar ky komision për organizimin e zgjedhjeve.

“Në takimin e pestë të Këshillit për Buxhet dhe Financa të mbajtur sot është diskutuar për këtë pikë të rendit të ditës, shqyrtimi dhe miratimi i planit të buxhetit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Sekretariati i KQZ-së ka përgatitur planin e buxhetit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare bazuar në kërkesat e njësive përkatëse, ku shuma totale e buxhetit të planifikuar arrin vlerën prej 10,897,186.45 euro. Buxheti i planifikuar sipas programeve dhe kategorive ekonomike si vijon: paga dhe shtesa ku shuma është 221 mijë euro, mallra dhe shërbime 10mijë e 621 euro, si dhe shpenzime komunale 32 mijë dhe pasuri jofinanciare kapitale në 13 mijë euro. Kjo pikë e rendit të ditës është aprovuar nga të gjithë në mbledhje dhe rekomandohet të hidhet në votim edhe në këtë mbledhje të radhës të KQZ-së”, tha Salihu.

Të ngjashme