Më shumë se 100 njerëz kanë vdekur për shkak të përmbytjeve të shkaktuara nga shirat e dendur në shtetet indiane të Uttar Pradeshit dhe Biharit.
Trafiku hekurudhor, lëvizja e automjeteve, shërbimet e kujdesit shëndetësor, shkollat dhe furnizimi me energji elektrike janë ndërprerë në të dyja shtetet, thanë zyrtarët e këtij vendi, raporton BBC, transmeton Klan Kosova.
Një raport i qeverisë së Uttar Pradeshit thekson se 93 njerëz kanë vdekur që nga e enjtja.
Në Uttar Pradeshin lindor, përmbytjet bën që zyrtarët të zhvendosnin më shumë se 500 të burgosur nga burgu i rrethit Ballia në burgjet e tjera pasi uji u fut në tre ndërtesa.
Bëhet e ditur se zyrtarët ishin në pritje të lejes për të transferuar të gjithë të 850 të burgosurit për në burgun Azamgarh, i cili është rreth 120 kilometra larg.
Numri i të vdekurve në Bihar është 29, sipas autoritetit shtetëror të menaxhimit të katastrofave.