Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur ka mbajtur ceremoninë e themelimit të Qendrës për Karrierë në shkollën “Shtjefën Gjeçovi”, raporton Ekonomia Online.
Kjo qendër është themeluar si rezultat i një partneriteti dhe bashkë-investimi të Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur dhe projektit Rritja e Punësimit për të Rinj (EYE) i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).
Drejtoreshe e Agjencionit për Arsim dhe Aftësim për të Rritur, Fikrie Zymberi, tha se arsimi profesional i mundëson të rinjve të punësohen në tregun e punës.
“Arsimi profesional dhe arsimi i të rriturve është ai që mundëson një punësim të qëndrueshëm të të rinjve dhe gjithmonë t’i japim një mundësi të rinjve tanë për tu punësuar në tregun e punës. Ky projekt ka për qëllim që të rinjtë tanë të jenë në kohë”.
“Këto qendra të karrierës i kemi hapur edhe qendrën e kompetencës në Malishevë ku përfitues do të jenë 600 nxënës, po ashtu e kemi hapur edhe një në Prizren shkolla ’11 Marsi’ ku përfitues do të jenë 1500 nxënës dhe tash këtu në ‘Shtjefën Gjecovi’ do të jenë fitues 1100 nxënës”.
Drejtoresha e DKA-së në Prishtinë, Shpresa Shala, tha se kanë synim fuqizimin e shkollave profesione.
“Kjo shkollë është e fëmijëve të Prishtinës dhe përfitues do të jetë Prishtina. Edhe ne si komunë s kemi pikë synim këto shkolla profesionale. E kemi të nevojshme që të kontribuojmë në avancimin dhe vetëdijesimin e prindërve dhe nxënësve që t’i ndjekin këto shkolla profesionale”.
“Ne si komunë duhet më shumë të punojmë në nevojat e tregut të punës dhe në orientime te ndryshme që ti orientojmë fëmijët në punë. Ne duhet të bëjmë më shumë në hulumtimin e tregut për tu përshtatur në tregun e punës”.
Valbona Rraci, zyrtare nga EYE, tha se fondacioni ka kontribuar në tetë shkolla, raporton EO.
“Projekti EYE është angazhuar me institucionet për të gjetur zgjedhje për të rinjtë tanë dhe rritjen e punësimit. Kjo qendër në një të ardhme do të ofrojë shërbime dhe jam shumë e bindur që imazhi i kësaj shkolle do të përmirësohet dhe vetëdojesimi i prindërve për këtë shkollë do të rritet. Fondacioni EYE ka kontribuar në 8 qendra për karrierë”.
Drejtori i kësaj shkolle profesionale, Faik Salih, tha se ky projekt do të jetë në shërbim të nxënësve.
“Iniciatorë kryesor që kjo qendër të krijohet në shkollën tonë është agjencioni për arsim dhe aftësim profesional. Projekti EYE përpos trajnimit ka bërë edhe përzgjedhjen e stafit”.
Qendra për Karrierë do të ndihmojë rreth 1 100 nxënës të kësaj shkolle për të zhvilluar një karrierë të suksesshme arsimore, profesionale dhe jetësore, si dhe ndërlidhjen më të mirë me tregun e punës.