64 persona janë arrestuar të martën nga Policia e Kosovës, për shkak të moszbatimit të masave për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse.
E që nga koha kur filloi zbatimi i vendimeve të Qeverisë në detyrë, për mbrojtje nga koronavirusi janë arrestuar mbi një mijë qytetarë.
Mirëpo, këto arrestime sipas Panelit Këshillues të Ekspertëve Ligjorë të Kosovës cenojnë të drejtat e njeriut, raporton KOHA.
Kujtim Kërveshi nga Paneli Këshillues i Ekspertëve Ligjorë kërkon nga Policia e Kosovës që t’i ndalë këto arrestime, pasi sipas tij, vendimi i marrë nga Ministria e Shëndetësisë është administrativ.
Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka pranuar të përgjigjet lidhur me këtë çështje, duke thënë se ende nuk është e sqaruar çështja.
E sipas Prokurorisë Themelore të Prishtinës, një numër i madh i qytetarëve lirohen në procedurë të rregullt e pastaj hapet rasti në Gjykatë.
Qeveria në detyrë më 13 mars kishte kufizuar lëvizjen e qytetarëve, vendim ky që u shpall antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese, për t’u vazhduar pastaj me masat e reja të marra nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me komunat.
Ky vendim, gjithashtu, është dërguar në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim nga Partia Demokratike e Kosovës.