Vetëm gjatë muajit janar të këtij vitit, në Kosovë kanë ndodhur gjithsejtë 119 raste të shkurorëzimeve. Që ka numër kaq të madh të ndarjeve po ndikojnë shumë faktorë thonë psikologë e sociologë në vend.
Ilir Havolli nga Shoqata e Psikologëve ka thënë se faktorë psikologjikë, psikofiziologjikë, social dhe socio-kulturorë, ndikojnë në rritjen e numrit të shkurorëzimeve dhe sipas tij, me eliminimin e këtyre faktorëve mund të ulet dukshëm fenomeni i shkurorëzimit.
“Duke pasur parasysh numrin shumë të madh kohëve të fundit të shkurorëzimeve që po ndodhin në Kosovë, janë një mori faktorësh të cilët ndikojnë që të rritet ky numër i shkurorëzimeve, duke filluar nga faktorët psikologjikë, psikofiziologjikë, socialë dhe socio-kulturorë”.
Sipas tij, edukimi familjar është çelësi i suksesit për një shoqëri të shëndoshë, duke shtuar se faktori ekonomik ka bërë që të ketë numër të madh të shkurorëzimeve.
Madje ai thotë se pas periudhës së divorcit çiftet përballen me paragjykime të ndryshme të cilat kanë ndikim negativ te dy gjinitë.
“Faktori ekonomik ka ndikim në rritjen e rasteve të shkurorëzimit pasi që mungesa e të mirave materiale shtynë që individët brenda familjes të krijojnë sjellje agresive e cila pastaj ndikon në rrënimin e urave të komunikimit dhe bashkëpunimit, të respektit reciprok mes çifteve gjë e cila pastaj kalon në akte të dhunës dhe në produktin final të kësaj është shkurorëzimi. Edukimi familjar është çelësi i suksesit për një shoqëri të shëndoshë”.
“Pas periudhës së divorcit çiftet përballen me paragjykime të ndryshme të cilat kanë ndikim negativ tek dy gjinitë. Këto ndikojnë në rritjen e shqetësimeve psikologjike dhe krahas këtyre ndikojnë në rritjen e dozës së stresit dhe ankthit gjë e cila pastaj ndikon edhe në uljen e vetëbesimit dhe vetëvlerësimit të individëve gjë e cila është produkt i shkurorëzimit”.
Ndërsa sociologu Bekim Selishta si masë parandaluese ka përmendur “modelin gjerman”, që ka të bëjë me punësimin e gruas, dhe mundësinë e pagesës së tatimit 75 për qind më pak ndaj shtetit nëse krijon familje.
“Rritja e divorceve nuk mund të fokusohet vetëm në një problem ose në një shkaktar, por janë disa mori shkaktarësh që ndikojnë. Nëse dëshirojmë me i trajtuar më seriozisht këto fenomene duhet të marrim modelin gjerman i cili ndikon tek çiftet e reja që kanë përparësi në punësim, në sektorin publik ose privat”.
“Përparësi shumë e madhe që kanë është se nëse kanë fëmijë, i pari i dyti dhe i treti shkojnë prej 30 deri në 75 për qind më pak tatim paguan ndaj shtetit nëse krijon familje. Kjo është një përparësi e madh që ndikon pozitivisht tek çiftet e reja që nuk kanë ngarkesën psikologjike, ekonomike, sociale dhe shumë probleme të tjera që kalojnë rrugës”.
Ai ka numëruar disa faktorë që mund të ndikojnë në parandalimin e ndarjeve, duke përmendur premtimet e Qeverisë kreditë e buta për çiftet e reja, rritjen e asistencës sociale etj, raporton EO.
“Qeveria aktuale ka ardhur në pushtet me shumë premtime në aspektet sociale. Ka qenë një prej premtimeve bazë, kreditë e buta për çiftet e reja, dhe rritja e asistencës sociale dhe ndihma tek lehonat dhe fëmijët e sapolindur. Dhe kjo është një faktor, i cili nuk mund të themi që e ndal shkurorëzimin, por ndikon pozitivisht”.
Ai tha se një nga arsyet e divorceve të shpeshta te moshat e reja se sa te ato më të vjetra ndodh për shkak se është rritur “luksi” më shumë në vendin tonë.
“Është rritur luksi tek ne më shumë. Para luftës nuk është diskutuar se çka po ndodh për luksin. por për mbijetesën. Tek ne çka duhet është që femrat e punësuara me pas më shumë kujdes ndaj familjes. Familja kërkon sakrificë”.
“Tek ne kanë shumë përparësi në punësim, por në këtë aspekt duhet me zhvilluar edhe tolerancën që edhe nëse punon ka obligime edhe brenda familjes. Tek ne nuk diskutohet për mbijetesë, por brenda familjeve ka hyrë ana komerciale, dhe kjo ndikon shumë negativisht”.