Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Shëndetësisë” për vitin 2020.
Ky publikim ofron të dhëna për numrin e përgjithshëm të të punësuarve në institucionet publike dhe private, si dhe aktivitetet e tjera shëndetësore në Republikën e Kosovës. Publikimi i Statistikave të Shëndetësisë 2020 ofron të dhëna për aktivitetet e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), aktivitetet e spitaleve të përgjithshme, vizitat në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), shërbimet paraklinike, të sëmurët me TBC, sëmundjet ngjitëse, të sëmurët me sëmundje malinje, të prekurit me COVID-19, institucionet private të licencuara, sigurimet shëndetësore etj.
Sipas rezultateve të dala nga ky publikim tregojnë se numri i përgjithshëm i të punësuarve në shëndetësi në sektorin publik, në vitin 2020, ishte 13 518 të punësuar, prej tyre: 3 555 ishin mjekë specialistë; 8 386 infermierë; dhe 1 577 staf jo-mjekësorë. Në Qendrat e Mjekësisë Familjare ishin 4 006 357 vizita, prej tyre: 233 256 ishin vizita stomatologjike; 926 496 ishin shërbime laboratorike; dhe 4 229 213 ishin intervenime dhe shërbime të veçanta.
Në Spitalet e Përgjithshme kishte: 274 086 ditë shërimi; 63 464 pacientë të shtrirë; dhe 11 394 të operuar. Po ashtu, janë realizuar 614 094 vizita ambulantore, ndërsa janë kryer 1 531 527 shërbime (parametra) laboratorike.
Gjatë vitit 2020, në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) kanë qenë: 329 986 ditë shërimi; 64 778 pacientë të shtrirë; dhe 14 718 janë operuar. Gjithashtu janë realizuar rreth 307 525 vizita diagnostike për pacientë; 364 654 vizita ambulantore; 1 009 471 shërbime laboratorike; dhe 400 243 shërbime të veçanta.
Në Qendrën Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës(QKSUK) ishin realizuar 159 507 shërbime stomatologjike në total, prej tyre: rreth 28 414 vizita kontrolluese; 37 637 shërbime për pacientët jashtë Prishtinës, etj.
Numri i rasteve të reja, të identifikuara dhe të trajtuara me sëmundje malinje dhe beninje, gjatë vitit 2020, ishte 2 787. Ndërsa, numri më i madh i të prekurve me sëmundje malinje dhe beninje i përkiste grup-moshës 60-64 vjeç, me gjithsej 401 raste. Numri i dializave të realizuara gjatë vitit 2020 në të gjitha spitalet publike të Kosovës ishte 118 549.
Ndërsa, numri i shërbimeve nga qendrat profesionale të shëndetit mendor ishte 88 593. Numri i të prekurve me TBC ishte 441 persona, prej tyre: 198 ishin femra dhe 243 meshkuj.
Numri i të vdekurve nga sëmundjet ngjitëse ishte 1 344 persona, ku numri më i madh i të vdekurve ishte nga COVID-19 me 1 336 raste. Numri i personelit mjekësor i angazhuar në QKUK dhe në spitalet e përgjithshme, që trajtuan pacientët me COVID-19 ishin 1 951 persona.
Në bazë të odave të profesionistëve shëndetësorë, në Kosovë ka 24 092 punonjës shëndetësorë të licencuar dhe nga ta: 14 966 janë femra dhe 9 126 meshkuj.
Numri i institucioneve private shëndetësore të licencuara ka arritur në 1 582, prej tyre 25 spitale dhe 1 536 institucione të tjera shëndetësore si: ambulanca, poliklinika etj.
Nga gjithsej 1 582 institucioneve private shëndetësore të licencuara, numrin më të madh e përbëjnë ambulancat stomatologjike me 411 prej tyre.