Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka shqyrtuar kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale (FKPK) për Miratimin e Taksave Vjetore për vitin 2023, raporton Ekonomia Online.
Armend Muja, kryesuesi i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, tha se buxheti i Fondit për aktivizimin operacional për vitin 2023 është me i vogël se sa buxheti i vitit 2022.
“Bordi drejtues i FKPK-së ka miratuar buxhetin e fondit për aktivizimin operacional për vitin 2022 në shumë prej 1 milion e 290 mijë e 395 euro apo 31 mijë e 132 euro më i ulët se sa buxheti i vitit 2022, për këtë arsye ju kemi ftuar që ta justifikoni”, tha ai.
Ruzhdi Morina, kryesues i Bordit Drejtues të FKPK-së tha se në vitin 2023 nën menaxhim pritet të jenë mbi 2.5 miliardë euro.
Ndërsa sipas tij, taksat e ngarkuara mbi mjete pensionale në vitin 2023 do të jenë në nivelin më të ulët që nga themelimi i këtij institucioni.
“Pritjet gjatë vitit 2023 janë që mjetet mesatare nën menaxhim gjatë vitit pritet të jenë rreth 2 miliardë e 571 milionë euro që rezultojnë nga vlerësimet si në vijim, presim që të arkëtojmë 2 miliardë e 424 milionë euro mjete në menaxhim, kontribute presim që të arkëtojmë 230 milionë euro si dhe pagesat e pensioneve presim që të jenë 65 milionë euro”.
“Vitin presim që ta përfundojmë më 2 miliardë e 719 milionë euro në mjete në menaxhim. Taksa operacionale për vitin 2023 e propozuar me normë 0.05 për qind e mjeteve është me ulje nga norma aktuale sa ishte 0.057 për qind, bazuar në këtë kuvendit i rekomandoj që të aprovoj taksen investuese vjetore prej 0.032 për qind të mjeteve dhe taksen operacionale vjetore prej 0.05 për qind të mjeteve”.
“Sipas këtij rekomandimi taksat e ngarkuara mbi mjete pensionale do të uleshin prej 0.377 për qind sa janë aktualisht në 0.37 për qind e mjeteve pra nivelin më të ulët që nga themelimi i këtij institucioni”, tha ai.
Muja tha se sipas raportit të Fondit në Kosovë në viti si mesatare pensionohen deri ne 6 mijë persona në vit.
Morina shtoi Fondi nuk ka objekt të vetin dhe qëndron me qera e kjo sipas tij, po ndodh për shkak se komuna e Prishtinës nuk është duke u lëshuar leje për ndërtim.
“…nuk kemi objekt tonin, kemi një truall ku kemi pretenduar me ndërtuar një objekt. Kemi pasur shumë problem nuk kemi mundur me marr leje nga komuna për shkak se duhet të merremi vesh me pronarët për rreth”.
Në fund Komisioni e ka miratuar me gjitha votat kërkesën për caktimin e taksës investuese prej 0.32 për qind dhe taksës operacionale prej 0.05 për qind për vitin 2023.
Pas diskutimeve është miratuar edhe plani vjetor i perfomncës për vitin 2023.