Mbi 2 mijë të vdekur nga tërmeti në Marok

Prishtinë | 10 Sht 2023 | 09:00 | Nga Ekonomia Online

Më shumë se 2000 njerëz kanë mbetur të vdekur si pasojë e tërmetit të fuqishëm që ka goditur Marokun në orët e hershme të së shtunës, raportoi Reuters.

Ministria e Brendshme e këtij vendi ka njoftuar se 2012 njerëz kanë vdekur dhe të paktën 2059 të tjerë kanë mbetur të lënduar, 1404 prej të cilëve janë në gjendje kritike.

Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka njoftuar se tërmeti ka pasur magnitudë prej 6.8 ballë me një epiqendër rreth 72 km (45 milje) në jugperëndim të Marrakeshit.

Të mbijetuarit e tërmetit janë grumbulluar natën në malet e Atlasit të Lartë të shtunën mbrëma pas tërmetit më vdekjeprurës të vendit në më shumë se gjashtë dekada.

Ende po kërkohet për të mbijetuar që kanë mbetur nën rrënojat e shtëpive të rrënuara, teksa numri i të viktimave pritet të rritet.

Pothuajse të gjitha shtëpitë në zonën e Asnit, rreth 40 km në jug të Marrakeshit, janë dëmtuar dhe fshatarët janë përgatitur të kalojnë natën jashtë. Sipas fshatarëve, ka mungesë të ushqimit për shkak të shembjes së çative nëpër kuzhina të shtëpive.

Lëkundjet u ndjenë deri në Huelva dhe Jaen në jug të Spanjës. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se se më shumë se 300,000 njerëz u prekën në Marrakesh dhe zonat përreth.

Pamjet e kamerave të rrugës në Marrakesh tregojnë momentin kur toka filloi të dridhej.

Maroku shpalli tre ditë zie kombëtare, gjatë së cilës flamuri kombëtar do të valëvitet në gjysmështizë në të gjithë vendin.

Forcat e armatosura marokene do të vendosin ekipe shpëtimi për t’i siguruar zonat e prekura, ujë të pijshëm të pastër, furnizime ushqimore, tenda dhe batanije.

Turqia, ku tërmetet e fuqishme në shkurt vranë më shumë se 50,000 njerëz, ishte ndër kombet që shprehën solidaritetin dhe ofruan mbështetje.

Algjeria, e cila ndërpreu lidhjet me Marokun në vitin 2021 pas përshkallëzimit të tensioneve midis vendeve të fokusuara në konfliktin e Saharasë Perëndimore, tha se do të hapte hapësirën ajrore për fluturimet humanitare dhe mjekësore.

Tërmeti u regjistrua në një thellësi prej 18.5 km, më shkatërrues se tërmetet më të thella të së njëjtës magnitudë. Ky ishte tërmeti më vdekjeprurës i Marokut që nga viti 1960, kur një tërmet u vlerësua të kishte vrarë të paktën 12,000 njerëz, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së.

Të ngjashme