Mbi 25 mijë familje kosovare vazhdojnë të mbeten gjallë vetëm nga sociali. Numri më i madh i tyre është në Mitrovicë, pasuar nga Prishtina e Vushtrria e Lipjani. Numri i familjeve që jetojnë me social në këto komuna shkon në mbi 6 mijë. Gjithë këto familje i kushtojnë shtetit mbi 33 milionë euro në vit.
Rreth 100 mijë qytetarë në vend vazhdojnë të mbesin gjallë vetëm me paratë që marrin nga sociali.
Gjithë kjo sipas raportit “Statistikat e Mirëqenies 2018”, që ka publikuar së fundi Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK).
Në bazë të këtij raporti, mbi 25 mijë familje kosovare vazhdojnë të jetojnë vetëm nga sociali, përkatësisht 103 mijë 409 anëtarë. Numri më i madh i tyre janë nga Mitrovica.
“Bazuar në gjendjen e muajit dhjetor 2018, numri i familjeve që kanë përfituar nga skema e ndihmës sociale ishte 25,345 familje. Numri më i madh i familjeve ishte në komunën e Mitrovicës me gjithsej 2,275 familje”, thuhet në raportin e ASK-së.