Mbi 26 vjet burgim janë shqiptuar për Masar Gërdovcin dhe Sherif Krasniqin, të akuzuarit për vrasjen e Rrahman Ukës në kafiterinë “Bon Vivant” në kryeqytet më 2014.
Gërdovci është dënuar me 21 vjet e 8 muaj burgim për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa Krasniqi për pjesëmarrje në rrahje me 4 vjet e tre muaj burgim, raporton KTV.
Në Lokalin “Bon Vivant” më 13 tetor 2014 u vra Rrahman Uka që ishte roje në atë lokal, për vrasjen tij akuzohen Masar Gërdovci e Sherif Krasniqi. Në nëntor të vitit të kaluar kishte qenë e paraparë që të shpallej aktgjykimi mirëpo në ditën kur parashihej të shpallej aktgjykimi ndaj të akuzuarve për vrasjen në “ Bon Vivant”, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte rihapur përsëri shqyrtimin gjyqësor në procedurën e provave.
Trupi gjykues i kryesuar nga Suzana Çerkini kishte marrë vendim që shqyrtimi gjyqësor të rihapet për marrjen e një prove që ka të bëjë me gjurmët e gishtërinjve në armë.
“Rihapet shqyrtimi gjyqësor për shkak të vërtetimit të një prove në lidhje me ekzaminimin e vijave papilare të gishtërinjve të marra nga arma në mënyrë që të vërtetohet gjendja faktike”, kishte deklaruar kryetarja e trupit gjykues, Suzana Çerkini Ky rast është gjykuar nga trupi gjykues i kryesuar nga Suzana Cerkini si dhe dy anëtaret e trupit gjykues, gjykatësit Shpresa Hasaj Hyseni dhe Arben Hoti ndërsa prokurore e këtij rasti është Ferdane Sylejmani.