Mbi 300 mësimdhënës vuajnë nga kanceri e detyrohen të japin mësim

Prishtinë | 09 Mar 2019 | 13:30 | Nga Ekonomia Online

Janë mbi 300 mësimdhënës kosovarë, të cilët aktualisht vuajnë nga lloje të ndryshme kanceri dhe po detyrohen që të vazhdojnë të japin mësim për nxënësit, përkundër gjendjes së rënduar shëndetësore. E gjithë kjo po ndodh, pasi atyre Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ende nuk u ka ofruar ndonjë zgjidhje, duke i lënë pa asistencë sociale e shëndetësore dhe pa mundësinë e daljes në pension të parakohshëm.

Sëmundja e kancerit apo ndryshe siç konsiderohet si sëmundja e shekullit, po merr shtrirje të madhe edhe në vendin tonë. Statistikat tregojnë se në tri vitet e fundit, ka pasur nga 1500, deri në 1600 raste të reja që janë lajmëruar. Kjo sëmundje po prek mosha të ndryshme.

E në situatë të vështirë janë edhe qindra mësimdhënës që aktualisht vuajnë nga lloje të ndryshme kanceri. Në mungesë të ndonjë ligji që zgjidh situatat e tilla, ata me sëmundje në trup për të siguruar mirëqenien për familje, po mundohen ta shtyjnë punën deri në pensionim.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkëncës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, i ka thënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus se përkundër shumë kërkesave institucionet e vendit ende nuk kanë krijuar kushtet adekuate për mësimdhënësit e prekur nga sëmundjet e rënda.

“Sipas informacioneve tona janë diku mbi 300 persona të prekur nga sëmundja e kancerit. Me dhjetëra herë ne si SBAShK kemi ngritë çështjen që për këta njerëz të ngriten kushtet e punës, që të pensionohen, në mënyrë që të përballen me sëmundjen. Por,  meqë nuk është gjetur zgjidhje ata po detyrohen të shkojnë në shkollë sa për ta mbajtur familjen dhe për të marrë rrogën”, ka deklaruar Jashari.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), deri tani duket se e ka injoruar këtë problem, pasi nuk ka ofruar asnjë zgjidhje, si asistencë sociale e shëndetësore, apo edhe mundësinë e daljes në pension të parakohshëm.

Në lidhje me këtë çështje, FaktePlus ka dërguar pyetje edhe në MAShT, por zyrtarët e kësaj ministrie nuk u janë përgjigjur pyetjeve.

Ndërkohë kryesindikalisti Rrahman Jasharaj thotë se mësimdhënësve të sëmurë duhet t’u sigurohet 75 përqind e pagës dhe se në vend të tyre të merren kuadro të reja.

“Ne e kemi dhënë idenë që këta mësimdhënës të pensionohen me 75 për qind të pagës të tyre dhe në në vend të tyre të angazhohen mësimdhënës praktikant të cilët do të gëzonin një të ardhur  modeste në vlerë prej 25 për qind të pagës dhe do të punon në vend të këtyre mësimdhënësve të sëmurë rëndë. Këtë ide e kanë përkrahur teoritikisht institucionet, por që nuk është përkrahur ende praktikisht”, është shprehur Jashari.

Ndërkaq Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard vlerëson se është për keqardhje që mësimdhënësit detyrohen të prezantojnë në shkollë përkundër gjendjen së tyre shëndetësore. Sipas tij, anashkalimi i këtij problemi nga institucionet është i papranueshëm.

“Është për keqardhje që ende jemi në një situatë kur mësimdhënës me sëmundje të rënda detyrohet të prezantojnë në shkollë përkundër gjendjes së tyre shëndetësore.  Anashkalimi i këtij problemi nga institucionet përgjegjëse është i papranueshëm. Edhe nëse mund të ketë implikime buxhetore është  padrejtësi ndaj mësimdhënësve  dhe nxënësve që kjo çështje të mos trajtohet. Rikujtoj që përveç mësimdhënësve me sëmundje të kancerit, kemi edhe mësimdhënës me sëmundje tjera”, ka thënë Qehaja për FaktePlus.

Aktualisht në Kosovë, punëtorët e arsimit, me rastin e ndonjë sëmundjeje apo aksidenti, mund të marrin vetëm pushimin mjekësor si dhe gjatë tre muajve të tjerë pagën me 70 për qind të të ardhurave mujore. Por, deri tani shteti nuk ka ofruara për këto raste asistencën e duhur sociale e shëndetësore, apo edhe një pension të dinjitetshëm.

Të ngjashme