Adoleshentët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po preken në masë nga Covid-19. Sipas Qendrës për Parandalimin dhe Kontrollimin e sëmundjeve, niveli më i lartë i rasteve të reja javën e kaluar, ishte mes 16 dhe 17 vjeçarëve.
Muajin e kaluar përhapja më e lartë ishte në grupmoshën 18 deri në 29 vjeç. Vatra e re mes adoleshentëve vjen teksa shumë nxënës amerikanë kanë nisur të kthehen në shkolla.
Ndërkohë, mbi 100 mijë njerëz janë aktualisht të shtruar nëspitale të Shteteve të Bashkuara për shkak të Covid-19. Kjo shifër është dyfish më e lartë se në gushtin e kaluar.
“Varianti Delta po prek spitalet në mënyra që ne nuk e kemi imagjinuar dhe efektet që po shkakton në sistemin shëndetësor janë të paimagjinueshme. Më është dashur të kthej pas një pacient me kancer që kishte nevojë për trajtim emergjent, vetëm për faktin që spitali nuk kishte asnjë shtrat të lirë.”, u shpreh mjeku Nite Shparyani.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë administruar më tepër se 364 milionë doza të vaksinave anti-covid, sipas të dhënave të raportuara nga Qendra për Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve.
Megjithatë 48.3% e amerikanëve nuk janë imunizuar plotësisht dhe rastet e reja me Covid-19 po rriten ndjeshëm. Florida është shteti më I prekur dhe raporton 80 shtrime në spitale për 100 mijë banorë, ndjekur nga Alabama, Misisipi, Xhorxha dhe Luiziana.