Autoritetet në Korenë Jugore morën vendim të dielën që të mbyllen kishat për shkak të përhapjes së koronavirusit. Në 24 orët e fundit, në këtë shtet u shënuan 586 raste të reja, duke e çuar në 3736 numrin e përgjithshëm të personave të infektuar.
Ky vendim erdhi vetëm një ditë pas rekordit ditor të rasteve të reja prej 813 personave të infektuar për një ditë, duke e paraqitur përhapjen më të madhe jashtë Kinës. Numri i personave të vdekur tashmë ka shkuar në 18, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.
“Dëgjova se nuk do të ketë meshë, por vetëm erdha të shoh pasi jetoj afër, të gjitha rrugët janë bosh”, tha një qytetar që i ishte afruar një kishe.
“Është vendim i mençur që meshat të mbahen përmes internetit, sepse virusi do të përhapej lehtë gjatë tubimeve dhe kishat nuk përbëjnë përjashtim”, shtoi ai.
Autoritetet kanë paralajmëruar moment kritik në luftën kundër koronavirusit, duke kërkuar nga njerëzit që të mos marrin pjesë në tubimet fetare dhe ngjarjet politike dhe të qëndrojnë në shtëpi gjatë fundjavës.
Për herë të parë në historinë e saj 236-vjeçare, Kisha Katolike e Koresë Jugore vendosi që të mos organizojë mesha në më shumë se 1700 lokacione.