Obligim, dëshirë apo “trend”, çfarëdo qoftë, e sido që ta quajmë, për 2 vitet e fundit nga shtetësia e Republikës së Kosovës kanë hequr dorë 9 mijë e 361 persona.
Siç kanë bërë të ditur për lajmi.net nga ministria e Punëve të Brendshme, veç brenda 11 muajve të 2022-tës, nga shtetësia e Kosovës janë liruar gjithësej 4 mijë e 423 persona.
“Në vitin 2021, nga shtetësia e Republikës së Kosovës janë liruar gjithsej 4,938 persona. Gjatë periudhës 01.01.2022-30.11.2022, nga shtetësia e Republikës së Kosovës janë liruar gjithsej 4,423 persona”, bënë të ditur ministria e Punëve të Brendshme.
Kur është në pyetje nënshtetësia e Kosovës apo e shteteve të Bashkimit Evropian, kosovarët duket se me përzemër e kanë atë të BE-së.
Kjo pasi që, sipas kësaj ministrie, arsyet më të shpeshta të heqjes dorë nga nënshtetësia e RKS-së është pikërisht marrja e asaj të shteteve të BE-së.
“Arsyet pse personat heqin dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës, është pasi që shumë shtete të Bashkimit Evropian nuk lejojnë dyshtetësinë përfshirë këtu edhe disa shtete që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian”, njofton MPB-ja.
Kjo ministri për lajmi.net ka treguar se kosovarët janë të obliguar ta bëjnë një gjë të tillë.
Kjo sepse një numër i madh i tyre kanë lindur dhe janë rritur në ato shtete.
“Duke pas parasysh që një numër i madh i shtetasve tonë jetojnë tashmë me vite në këto shtete e një numër i madh edhe kanë lindur në këto shtete dhe si rezultat i saj kanë fituar të drejtën e Fitimi të Shtetësisë dhe janë të obliguar të lirohen nga shtetësia e mëparshme në rast se dëshirojnë ta fitojnë shtetësinë e atij vendi.”, vazhdon tutje ministria.
Nga departamenti për shtetësi, azil dhe migracion në MPB janë shprehur se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, ka pasur një trend të njëjtë të personave që kanë hequr dorë nga shtetësia.
Ndërsa, sa i përket moshës, sipas tyre gjeneratat e reja janë ato që kryesisht kërkojnë të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës.
Megjithatë, çdonjëri ka të drejt për të hequr dorë nga shtetësia e një vendi dhe nuk mund të ndalohet dikush i cili dëshiron të heqë dorë nga shtetësia.