Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) ka njoftuar se më shumë se 4 milionë fëmijë refugjatë në botë në vitin 2017-2018 nuk kanë gjetur mundësinë që të shkojnë në shkollë.
UNHCR ka publikuar raportin e ri në lidhje me arsimimin e fëmijëve refugjatë në mbarë botën. Në raport tërhiqet vëmendja se vazhdon të rritet popullsia e refugjatëve në botë dhe theksohet se pavarësisht përpjekjeve të organizatave të OKB-së dhe të gjithë shteteve po rritet me shpejtësi numri i fëmijëve refugjatë të cilët nuk mund të shkojnë në shkollë.
Deri në fund të vitit 2017, raportohet se ka 25.4 milionë refugjatë në mbarë botën, nga të cilët 19.9 milionë nën autoritetin e UNHCR-së, ku 52 për qind të tyre e përbëjnë fëmijët dhe se 7.4 milionë fëmijë janë në moshë shkollore. Ndër të tjera në raportin ku rikujtohet se vitin 2016, më shumë se 3.5 milionë fëmijë refugjatë nuk kanë patur mundësinë të shkonin në shkollë, theksohet se në vitin 2017, kjo shifër u rrit me një rritje gjysmë milioni duke arritur në 4 milionë.
Sipas raportit, 92 për qind e fëmijëve në shkallë globale mund të regjistrohen në shkollën fillore, ndërsa tek fëmijët refugjatë kjo normë ka qenë 61 për qind. Teksa ka një shkallë më të ulët të frekuentimit të fëmijëve refugjatë në shkollën pas fillores, bëhet e ditur se përqindja e fëmijëve refugjatë që mund të kryejnë arsimin e lartë është vetëm 1 për qind.
Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Filippo Grandi, në një deklaratë në lidhje me raportin tha se “Arsimi është një mënyrë për të ndihmuar përmirësimin e fëmijëve, por gjithashtu është një çelës rindërtimi i vendeve të tyre. Pa arsim, e ardhmja e këtyre fëmijëve dhe komuniteteve do të pësojë një dëm në mënyrë të pakthyeshme”.
Pasi ka nënvizuar se shkollat janë vendi i parë ku fëmijët refugjatë brenda muajve madje brenda viteve rikthehen në normalitet, Grandi tha se “Duke parë modelet aktuale, qindra mijëra fëmijë do të vazhdojnë të mbeten nën këtë statistikë shqetësuese nëse nuk bëhet një investim urgjent”.