Sekretari i OVL-UÇK-së, Ramadan Gashi, ka bërë të ditur se mbi 500 veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë nisur në mënyrë të organizuar me dhjetëra autobusë nga Llapushniku drejt Hagës, për të marrë pjesë në protestën që do të mbahet të dielën, raporton Ekonomia Online.
“Jemi gati, kemi përfunduar të gjitha përgatitjet, tash po shihet se jemi duke bërë nisje në mënyrë të organizuar. Jemi me dhjetëra autobusë që jemi duke u nisur nga Llapushniku. Numri është diku përmbi 500 veteranë që shkojnë të organizuar. Por kemi edhe mënyra të tjera që janë duke shkuar me aeroplan dhe vetura nga gjitha anët e botës, ka shkuar në Hagë për ditën e diel”, ka deklaruar Gashi për EO.
Sipas tij, përveç pjesëmarrësve nga Kosova, edhe shumë të tjerë po udhëtojnë me vetura dhe aeroplanë nga diaspora për të kërkuar drejtësi për çlirimtarët që po mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale.
“Qëllimi jonë është të shkojmë të protestojmë për të drejtat tona, për lirinë e çlirimtarëve të cilët po mbahen padrejtësisht në Gjykatën e Hagës. Besoj që do të merren parasysh thirrjet tona të cilat do t’i bëjmë dhe kërkesat që do t’ia dërgojmë me shkrim, do t’ia adresojmë Gjykatës Speciale”, shtoi ai.