Koordinatori i Qendrës të vaksinimit Niman Bardhi, në një konferencë për medie ka bërë të ditur se edhe gjatë së hënës ka vazhduar vaksinimi i personave mbi moshën 65 vjeçare, me vaksinën anti-Covid, raporton Ekonomia Online.
Ai më tej ka bërë të ditur se të gjithë mjekët e vaksinuar në Kukës do të marrin dozën e dytë që nga e hëna.
“Siç e shihni edhe sot po vazhdon vaksinimi i të moshuarve nga mosha 65 vjeç e mbi, ku deri më tani janë vaksinuar mbi 200 persona ndërsa nëse flasim në nivel vendi kemi mbi 57 mijë re vaksinuar”.
“Ajo që vlen te ceket është që nga ora 12:30 e tutje i gjithë personeli shëndetësor që kanë marrë vaksinën apo dozën e parë në Kukës do të marrin dozën e dytë sot në sallën ‘1 Tetori” dhe që kanë të ndarë kohën e tyre sipas emrit dhe mbiemrit ku nga 300 profesionistët presim që t’i kryejmë me rregull”, tha Bardhi.
Mjeku Orhan Hoxha, tha se që nga doza e parë nuk ka pasur ndonjë komplikim.
“Po sot mora dozën e dytë, e që nga doza e parë që kam marrë nuk kam pasur ndonjë komplikim, edhe këtu nuk pat ndonjë parregullsi”, tha Hoxha.
Kurse Shkëlzen Krasniqi, tha se ka pasur vonesa në procesin e marrjes së vaksinës ngase kishte probleme me sistemin dhe çështje teknike.
“Po pati probleme në fillim sa i përket sistemit, pra probleme teknike, por mirë”.
“Nuk kam pasur shumë probleme shëndetësore, një reaksion pak i lehtë por jo shumë. Covidin e kam kaluar”, tha ai.