Për tre ditë rresht, mbi 60 biznese për prodhime vendore do të promovojnë produktet e tyre që variojnë nga industria e ushqimit dhe deri tek artizanalet dhe punimet artistike në “Panairin dimëror”.
“Panairin dimëror” do të ofrojë edhe mundësi argëtimi, përfshi muzikën, pllakate me animacione, këndin e fotografimit, mundësi për ngjyrosje të fytyrave të fëmijëve dhe lojëra për fëmijë dhe pjesë të tjera artistike.
Panairi është ngjarje tradicionale që organizohet nga ARDA, në kuadër të projektit të financuar nga BE “Mbështetje Zhvillimit Ekonomik Rajonal” që administrohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Ky manifestim tashmë tradicional është i dizajnuar si një mundësi për të mbështetur përpjekjet e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme prodhuese dhe bizneseve të reja në promovimin e produkteve të tyre dhe në avancimin e nismave të tyre për komunikim dhe marketing, si dhe të lehtësojë takimet Biznes-me-Biznes, raporton Ekonomia Online.
Luigi Brusa, nga zyra e Bashkimit Evropian, tha se tregu i Bashkësisë Evropiane është i hapur për shumicën e produkteve kosovare, por që sipas tij disa kërkesa të sigurisë dhe cilësisë duhet të përmbushën.
“Kemi përafërsisht 60 biznese që kanë shfrytëzuar këtë mundësi të promovojnë produktet e tyre, disa nga këto biznese kanë qenë përfituese nga mbështetja që ne kemi ofruar dhe nëse janë këtu me ne sot duke prezantuar produktet e tyre dhe kjo do të thotë se ata janë duku punuar mirë dhe janë biznese të shëndetshëm”, tha Brusa.
“Sot tregu i Bashkësisë Evropiane është i hapur për shumicën e produkteve kosovare, mirëpo disa kërkesa të sigurisë apo cilësisë ushqimore duhet që të përmbushën. Ne jemi duke mbështetur Kosovën në përmbushjen e këtyre kërkesave nga tregu i bashkësisë evropiane dhe në qasje në tregjet evropiane. Shpresojmë që cilësia e produkteve kosovare të përmirësohet që të jetë sfiduese për produktet që gjenden në bashkësinë evropiane”.
Ai tha se institucionet kosovare duhet të mbështesin sa më shumë bizneset e vogla në Kosovë.
“Jemi duke mbështet Kosovën në tregun e jashtëm, por institucionet kosovare duhet të mbështesin këto biznese, sidomos bizneset e vogla në Kosovë”.
Ministri i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Afrim Demiri, tha se një nga objektivat kryesore të MZhR-së është mbështetja e ndërrmarrjeve të vogla dhe të mesme.
“60 biznese sot po promovojnë produktet e tyre, mbështetja e ndërrmarjeve të vogla dhe të mesme, kjo është një nga objektivat më të rëndësishme të MZhR-së, mos hezitoni të konsumoni produkte vendore“, tha Demiri.
Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), theksoi se shteti duhet të ndihmojë bizneset në mënyrë që të ketë një ekonomi më të madhe në vend.
“Ky panair është mbështetje e madhe për bizneset e vogla. Shteti duhet të ndihmojë bizneset e vogla që të bëhen konkurente me produktet e tyre në Kosovë, shteti duhet të ndihmojë për një ekonomi më të madhe në vend përmes promovimit të produkteve vendore”, tha Zeka.
Mrikë Macula, shefe e ARDA-s, tha se ky organizim është tashmë tradicional e që sipas saj është mundësi e madhe për mbështetjen e bizneseve të reja për promovimin e produkteve të tyre.
“5 vite me radhë organizojmë panairin dimëror në lansimin e produkteve vendore , projekt ky që është i financuar nga Bashkimi Evropian dhe komunat. Ky manifestim është tradicional, si mundësi për të mbështetur bizneset e reja dhe promovimin e produkteve të tyre. Këtu i kemi 60 biznese me prodhime vendore nga industria e ushqimit e deri tek artizanatet”, tha Macula.

