Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar Raportin e auditimit të performancës “Menaxhimi i kontratave publike të ndërtimit”, raporton Ekonomia Online.
Kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami tha se 60 milionë euro janë shpenzuar për ndërtimin e objekteve arsimore e kulturore.
Deputetja Jetmire Vrenezi nga VV-ja, tha se ka pasur shumë parregullsi dhe paqartësi lidhur me realizimin e projekteve.
Tutje ajo tha se ministria e Kulturës dhe ajo e Arsimit nuk i kanë përfillur rekomandimet e auditorit, duke përjashtuar këtu ministrinë e Administratës Publike.
Ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku iu adresua pyetje lidhur me çështjen e investimeve dhe kontratave dhe se cili është plani i tij për adresimin e këtij problemi.
Çeku tha se qysh nga marrja e detyrës kanë kërkuar pasqyrimin e projekteve dhe kontratave me çka edhe kanë ndërmarrë masa kudo që kanë hasur në shkelje.
“Çështja e auditimit të performancës, ne kemi filluar punën menjëherë, duke kërkuar pasqyrimin e të gjitha projekteve dhe kontratave, dhe kemi skanuar këto kontrata duke marrë edhe masa ndaj dyshimeve për vepra penale”, tha Çeku.
Ministri poashtu ceki që janë 12 projekte që i ka skaduar afati bazë dhe të tjera që detyrohen t’i anulojnë.
Zv.ministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, tha se sa i përket kontratave kanë aranzhuar një kompani për të avancuar këtë çështje, raporton EO.
“Një vërejtje e auditorëve ka të bëjë me kontratat, dhe një gjë të tillë e ka bë kjo ministri, ku ka aranzhuar një kompani sa i përket ndërtimeve, dhe besojmë që kjo e avancon sektorin e kontratave”, tha Pupovci.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra tha se do të kërkojnë llogari nga secili për të parë tutje se sa janë respektuar rregullat dhe rekomandimet nga ky raport.
Anëtarja e VV-së, Jetmire Vrenezi e pyet Çeku se a është intervistuar nga Policia apo është në dijeni që është ndërmarrë një procedurë hetimore lidhur me një projekt të kësaj ministrie.
Çeku tha se ka dijeni për një projekt specifik dhe që nuk e di se deri ku ka vazhduar ky hetim.
Hajdar Beqaj nga PDK-ja tha se ministria dhe përfaqësuesit e saj duhet të sigurojnë nga menaxhmenti dhe e kanë obligim t’i përmirësojnë memorandumet dhe problemet e tjera.