Numri më i madh i punëtorëve që shërbejnë në kuadër të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës janë infermierët, ku nga 7 mijë e 297 punëtorë, 4 mijë e 321 janë infermierë.
Sipas statistikave që i ka bërë të ditura drejtori në detyrë i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi 65 për qind nga 7297 punëtor të regjistruar janë femra, ndërkaq 35 për qind janë meshkuj.
“Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës ka gjithsej rreth 7 mijë e 300 të punësuar, përfshirë Qendrën Klinike Universitare dhe spitalet tjera rajonale. Rreth 22 për qind e tyre janë mjek, ose rreth 1612 janë mjek, ndërsa rreth 60 për qind e tyre janë staf infermieror, apo rreth 4300, ndërsa pjesa tjetër janë staf mbështetës, përfshirë stafin administrativ dhe shërbimet tjera”, u shpreh Krasniqi gjatë intervistës për Telegrafin.
Megjithëse, nga shifrat duket se ka shumë të punësuar në sektorin publik të shëndetësisë, prapë Qendra Klinike e Universitare e Kosovës ka mungesë të stafit.
Valbon Krasniqi, Drejtor i ShSKUK-së gjatë intervistës për Telegrafi.com
Sidomos kjo mungesë është vërejtur gjatë pandemisë ku përgjegjësit janë detyruar të angazhojnë staf të klinikave të ndryshme për tu ofruar shërbime shëndetësore pacientëve në nevojë.
Kërkesat më të mëdha janë për shtesë të infermierëve dhe ndihmës infermierëve, por gjithashtu ka mungesë të stafit profesional mjekësor, sidomos në fushën e Anestezologjisë.
Krasniqi ka bërë të ditur edhe numrin e shërbimeve që kryhen brenda vitit në QKUK dhe spitalet rajonale.
“Marrin shërbime diku rreth 7 milionë e gjysmë shërbime të ndryshme, kryhen brenda një viti në Spitalet e Përgjithshme dhe në QKUK. Prej tyre për shembull, nëse i shprehim me shifra janë 800 mijë ditë shërimi, pra të spitalizuar gjatë një viti kalendarik, ose kryhen mbi 40 mijë operime, prej tyre rreth 23 mijë vetëm në QKUK dhe 18 mijë tjera në Spitalet e Përgjithshme, kryhen rreth 20 mijë lindje, ofron mbi 1 milionë vizita ambulantore, mbi 2 milionë shërbime të tjera diagnostike, 3 milionë parametra laboratorik, pra është një gamë e gjerë e shërbimeve”, tha Krasniqi.